TË FUNDIT

Rizvanolli: Qeveria e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, do t’u qëndrojë pranë prodhuesve vendorë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj propozimeve për ndarjen e 50 milionë eurove për bizneset e mëdha, duke theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të mbështesë subvencionimin e konsumit të energjisë për korporatat më të fuqishme që operojnë në vend.

Në një postim në facebook, Rizvanolli ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke theksuar se ide të tilla nuk përfaqësojnë interesin e qytetarëve dhe nuk do të realizohen nga Qeveria aktuale.

“Vendime për dhënie të ‘veç 50 milionë eurove’ të taksapaguesve për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike të 1%-shit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë, NUK do të ketë me Qeverinë Kurti 2 as 3,” deklaroi ajo.

Ministrja gjithashtu ka theksuar se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për prodhuesit vendorë, veçanërisht ata që preken nga liberalizimi i tregut të energjisë, në mënyrë që të ruhet konkurrueshmëria dhe të shmangen ndikimet në çmimet për qytetarët.

Duke iu referuar ZRrE-së, Rizvanolli kërkoi që institucioni të fokusohet në analiza të detajuara mbi shkaqet e rritjes së kostos së furnizimit me energji gjatë vitit të kaluar, përfshirë rritjen e lartë të tarifave të transmisionit. Ajo shtoi se këto çështje duhet të jenë ndër prioritetet e Komisionit parlamentar për Ekonomi.

Ministrja nuk kurseu as kritikat ndaj LDK-së, duke e akuzuar për bllokim të konstituimit të Kuvendit dhe për përdorimin e “cirkut politik” në vend të adresimit të problemeve reale të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *