Kush po kërkon krijimin e “Rojës së Lagjes” në veri të Kosovës?
Disa ditë më parë, kreu i partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandër Arsenijeviç, ka kërkuar krijimin e një nisme të quajtur “Roja e Lagjes”.
Ai ka bërë të ditur se së shpejti do të nisë organizimi për themelimin e kësaj strukture.
“Së shpejti do të fillojë organizimi i ekipeve nëpër rrugë dhe lagje, ndarja e detyrave dhe kontakteve, si dhe mbajtja e trajnimeve për identifikimin dhe raportimin e rreziqeve”, ka deklaruar ai.
Kjo iniciativë, sipas Arsenijeviçit, vjen si reagim ndaj pretendimeve se shqiptarët po shkojnë në veri për të ngacmuar gratë serbe, ndërsa, sipas tij, Policia e Kosovës nuk po reagon në raste të tilla.
Ndryshe, Arsenijeviç është emër i njohur për organet e rendit, pasi më parë është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Megjithatë, kjo iniciativë po shihet me dyshim. Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se ajo mund të ketë qëllime të tjera, duke theksuar se mbrojtja e qytetarëve është përgjegjësi e Policisë së Kosovës, e cila duhet të veprojë në çdo rast kur paraqitet nevoja.
Tutje, ata paralajmërojnë se kjo nismë mund të jetë në koordinim me autoritetet serbe, gjë që do të përbënte një përpjekje për krijimin e strukturave paralele në veri të vendit
Taktika e destabilizimit
Eksperti i sigurisë, Dirzan Shala, në një prononcim për “Bota Sot”, ka komentuar paralajmërimin për formimin e “Rojës së Lagjes” nga Arsenijeviçi.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Ai e ka cilësuar këtë thirrje si një përpjekje për krijimin e strukturave paralele të sigurisë, duke shtuar se kjo është një taktikë e njohur që synon destabilizimin.
“Deklarata e politikanit serb Aleksandër Arsenijeviç për krijimin e një nisme të quajtur “Roja e Lagjes”, nën arsyetimin e mbrojtjes së grave serbe nga “provokimet” e shqiptarëve, përbën një akt me pasoja serioze në aspektin e sigurisë dhe të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ky paralajmërim përbën një përpjekje për të krijuar struktura paralele të sigurisë, të cilat në esencë minojnë autoritetin e Policisë së Kosovës dhe institucioneve legjitime në veri të vendit. Retorika e përdorur – që përmban motive etnike dhe nxitje të frikës kolektive – është një taktikë e njohur e destabilizimit të kontrolluar, e cila mund të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë apo indirekte nga strukturat shtetërore të Serbisë, përfshirë inteligjencën dhe aparatin propagandistik”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, kjo iniciativë mund të shërbej për qëllime të tjera.
“Kjo iniciativë, duke marrë parasysh kontekstin e tensionuar dhe ndikimin e madh të Serbisë mbi komunitetin serb në veri, mund të shërbejë si një platformë për rekrutimin e individëve për qëllime të tjera, përfshirë operacione hibride, mbikëqyrje të paligjshme, apo edhe përgatitje për akte sabotazhi institucional. Krijimi i ekipeve të “vetë-mbrojtjes” që ndajnë detyra, kontakte dhe mbajnë trajnime, mund të kalojë lehtë në organizim paramilitar, sidomos nëse nuk ka një përgjigje të koordinuar nga institucionet e sigurisë së Kosovës”, ka nënvizuar Shala.
Po ashtu, ai ka treguar se a mund të jetë bërë kjo kërkesë me krordinim të Serbisë.
“Bazuar në modelet e mëparshme të veprimit (si në Bosnje, në veri të Kosovës apo në kontekstin e “Srpska Lista”), ka një probabilitet të lartë që kjo nismë të jetë e koordinuar, e mbështetur ose të paktën e toleruar nga Beogradi zyrtar, në kuadër të strategjisë së saj për të ruajtur ndikimin në Kosovë përmes strukturave paralele, shoqatave kulturore dhe entiteteve me funksione të dyfishta (civile dhe të sigurisë)”, ka thënë ai.
Tutje, Shala ka përmendur disa veprime që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës
“1. Reagim i menjëhershëm institucional: Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës duhet të deklarohen qartë kundër krijimit të strukturave joformale të sigurisë që operojnë jashtë ligjit.
2. Zbatimi i ligjit në terren: Çdo veprim që bie ndesh me ligjin mbi sigurinë publike dhe rendin duhet të ndalohet menjëherë. Kjo përfshin identifikimin dhe ndjekjen penale të organizatorëve që synojnë formimin e “njësive” të tilla.
3. Koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in: Një koordinim i rregullt operativ për të parandaluar eskalimin e situatës dhe për të ruajtur stabilitetin.
4. Kundër-narrativë strategjike: Institucionet duhet të demaskojnë publikisht motivet e kësaj nisme, duke informuar opinionin vendas dhe ndërkombëtar për rrezikun që paraqet kjo lëvizje.
5. Inteligjencë dhe kundërzbulim proaktiv: Duhet intensifikuar monitorimi i aktiviteteve të figurave si Arsenijeviç dhe ndërlidhjet e tyre të mundshme me strukturat e sigurisë së Serbisë (BIA, MUP), duke përdorur mjete ligjore të survejimit dhe raportimit”, ka dekl;aruar Shala për “Bota sot”.
Tentativat e Serbisë nuk kanë sukses në Kosovë
Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, e ka cilësuar këtë si një deklaratë politike, duke thënë se po përdoret si pjesë e një fushate parazgjedhore.
“`Roja e Lagjes`, në Republikën e Kosovës është Polici i Lagjes apo Policimi në Komunitet dhe shërben për të gjitha komunitetet pa dalim etnie, ngjyre ose race, është në shërbim të të gjithëve.
ImageArben DashevciFoto galeri
Të gjitha komentet ose propozimet tjera janë puro politike mendoj unë dhe përdoren si fushatë parazgjedhore sepse zgjedhjet lokale janë afër dhe asgjë më shumë.
Nuk ka incidente etnike matanë lumit Ibër, ka vetëdijesim dhe bashkëpunim qytetarë me Policinë e Kosovës.
Për çdo problem është Policia e Kosovës dhe reagimi është i shpejtë dhe në kohë rekorde”, ka thënë ai.
Dashevci ka rikujtuar se në të kaluarën kanë ekzistuar grupe të caktuara që vepronin në veri të vendit.
“Më përpara matanë lumit Ibër ka pasur grupe dhe e dimë se çfarë grupe kanë qenë ato dhe kë e kanë përfaqësuar dhe çka kanë shkaktuar ato grupe famëkeqe.
Bashkëpunimi qytetarë me polici është gjithmonë i mirëseardhur, por vetëm në mënyrë institucionale dhe assesi në formë tjetër me organizime vetanake kur dihet se nuk ka asnjë problem të vetëm etnik”, ka theksuar ai.
Sipas tij, pritet që Serbia të ndërmarrë përpjekje për të vazhduar agjendën e saj politike.
“Serbia me tentativat e saj tash në forma tjera nuk ka sukses më në Republikën e Kosovës.
Serbia gjithmonë ka tentuar, tenton dhe do të tentojë deri në njohjen tonë si shtet ta mbajë Republikën e Kosovës në agjendën e sigurisë kinse ka probleme dhe tensione kur dihet mirëfilli që nuk ka.
Organet tona kanë eksperiencë të madhe në aspektin e sigurisë dhe kanë kapacitete të plota për veprim kundrejt çfarëdo rreziku ose problemi.
Çdo tentativë tjetër e kujtdo qoftë ajo unë mendoj që është politike dhe pa asnjë sukses”, ka përfunduar Dashevci për “Bota sot”.