Estonezët u përpoqën të kapnin cisternën ruse, më pas shfaqet një SU-35
Ushtria e Estonisë ka tentuar të ndalojë dhe kap tankerin Jaguar, i cili i përket “flotës nën hije” ruse, e cila po lundronte drejt një porti rus nën flamurin e shtetit afrikan Gabon.
Për të ndihmuar tankerin, avioni ushtarak rus SU-35 hyri në hapësirën ajrore të Estonisë, njoftoi në rrjetin social X Anton Gerashchenko, ish-këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës.
Estonia akuzoi Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore dhe i dërgoi sot një notë proteste ambasadorit rus.
Media estoneze ERR.ee raportoi se incidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur një avion ushtarak SU-35 rus shkeli hapësirën ajrore të Estonisë pranë gadishullit Juminda për më pak se një minutë.
Sipas mediave estoneze, avioni rus nuk kishte plan fluturimi dhe transponderi i tij ishte i fikur. Kjo është hera e parë këtë vit që Forcat Ajrore Ruse shkelën hapësirën ajrore të Estonisë.
Në momentin e incidentit, avioni gjithashtu nuk kishte komunikim të dyanshëm me radio me kontrollin e trafikut ajror estonez, njoftoi shërbimi i marrëdhënieve me publikun i Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes të Estonisë.
Flota nën hije ruse i referohet një grupi cisternash kryesisht të vjetra, të mirëmbajtura keq dhe të parregulluara dhe anijeve të tjera me struktura të paqarta pronësie, të cilat transportojnë naftë ruse dhe mallra të tjera të ndaluara në mbarë botën për të anashkaluar sanksionet perëndimore.
Kjo flotë, e cila numëron qindra anije, lundron shpesh nën flamujt e vendeve të treta, çaktivizon transponderët dhe nuk ka sigurim ndërkombëtar, duke paraqitur një rrezik serioz për sigurinë e trafikut detar.