POLITIKATË FUNDIT

Shtuni: Faktori politik t’i marrë përgjegjësitë, jo të presë zgjidhje nga qielli

Mungesa e vullnetit për kompromis dhe e besimit, që pamundëson inaugurimin e Kuvendit të Kosovës tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, është prodhim i mungesës së një vizioni të përbashkët strategjik për të ardhmen e vendit, thotë Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai pohon se asnjë subjekt nuk është i gatshëm të ndërmarrë hapa që mund ta dobësojnë pozicionin e tij politik, duke e përshkruar situatën si një “zugzwang i ndërsjellë” – një moment kur çdo lëvizje politike përbën rrezik.

Shtuni argumenton se Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme me bazë të gjerë politike ose edhe teknike, të paktën deri në zgjedhjen e presidentit në marsin e vitit 2026. Sipas tij, ngërçi i tanishëm po i kushton rëndë Kosovës, jo vetëm në aspektin e humbjes së kohës dhe mundësive zhvillimore, por edhe në perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin dhe funksionalitetin e shtetit.

Shtuni flet, gjithashtu, për rolin e komunitetit ndërkombëtar, që ndonëse nuk po ushtron presion publik, mbetet i përfshirë aktivisht, dhe bën thirrje për vetëdijësim të klasës politike që zgjidhjet të vijnë nga brenda, jo si produkt presioni nga jashtë.

Më 13 maj, për të pesëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituonin përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Z. Shtuni, cilave subjekte politike u konvenon zvarritja e formimit të institucioneve të reja në Kosovë, dhe cilat janë arsyet që ju i shihni për zvarritjen e tillë?

Adrian Shtuni: Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe inatet e përplasjet e forta që kanë karakterizuar politikën në Kosovë kohët e fundit, i kanë sjellë partitë kryesore në Kosovë në një situatë që në lojën e shahut quhet “zugzwang i ndërsjellë”. Kjo do të thotë se ato përllogaritin se çdo lëvizje që mund të bëjnë do t’ia përkeqsojë pozitën, e pikërisht se askush nuk preferon të lëvizë nga pozita ku janë barrikaduar, ndaj dhe kemi arritur në këtë situatë paralize institucionale.

E thënë më shkoqur, arsyet për zvarritjen janë sepse askush nuk i ka minimalisht 61 vota, e po ashtu askush nuk ka vullnet real për kompromis apo besim të mjaftueshëm tek partnerët potencialë për koalicion.

Kjo situatë përçarjeje, mjaft e kushtueshme për Kosovën, sigurisht është prodhim i polarizimit të skajshëm politik në vend, por akoma edhe më keq, është prodhim i mungesës së një vizioni të përbashkët strategjik për të ardhmen e vendit.

Po flas për një vizion afatgjatë që i tejkalon ambiciet partiake të cikleve zgjedhore, egot, mëritë, dhe interesat e ngushta të lidershipit të secilës parti.

Por, si mund të ndahet përgjegjësia për situatën aktuale në Kosovë?

Adrian Shtuni: Sigurisht se çdo gjë ka radhë. Për shkak se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para në zgjedhje, ajo e ka radhën e para të lëvizë. Insistimi me kandidaturën e znj. Albulena Haxhiu, pas 15 dështimesh rresht, e nxjerrë zbuluar jo vetëm mungesën e vullnetit për të zhbllokuar situatën, duke propozuar një kandidaturë me mbështetje më të gjerë, por edhe vetëdijen e z. Albin Kurti, se pas gjithë negociatave, ai nuk i ka votat e nevojshme për qeveri, gjë që sa duket e shtyn të mendojë se i konvenon të blejë kohë.

Për mua, kjo është një zgjedhje e dëmshme për vendin, sidomos kur Kosova po i mbush dy vjet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) që bllokojnë fondet zhvillimore, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, dhe rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Të jemi të qartë, në këtë moment asgjë nuk i kushton më shumë Kosovës se sa koha e humbur.

Ndërkohë, për Partinë Demokratike e Kosovës (PDK) duket se paraliza institucionale e vendit është më pak e dëmshme se sa një Qeveri Kurti 3.

Ata, madje, me gjasë përllogaritin se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe, në përgjithësi, e kostos së jetesës në Kosovë, bashkë me tre muajt e ngërçit politik në vend, ia kanë gërryer disi elektoratin LVV-së.

Kjo ndoshta i bën të mendojnë se zgjedhjet e reja parlamentare mund t’i jepnin një rezultat më të favorshëm. Nuk i kam të dhënat e mjaftueshme për të llogaritur nëse ky është një vlerësim realist në këtë pikë, por mendoj se, sa më gjatë vendi të mbetet në një situate paralize institucionale, dhe sa më e lartë fatura e dëmit ekonomik e socio-politik që i shkakton kjo paralizë vendit, aq më e lartë do të jetë edhe kostoja politike për LVV-në në zgjedhjet e ardhshme.

Por, të jemi të qartë, edhe sikur 61 deputetë të bëheshin bashkë, një koalicion qeverisës i tillë do të ishte shumë i paqëndrueshëm, prandaj për shmangien e paralizës do të ishte ndoshta e vendit të konsiderohej një formulë ndryshe, pra një qeveri me bazë të gjerë politike, apo edhe teknike, të paktën deri në zgjedhjen e presidentit apo presidentes së ardhshme, në marsin e 2026-tës.

Thelbi këtu është se Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe e aftë të marrë vendime të rëndësishme në kohë të trazuara gjeopolitikisht, jo një qeveri pa stabilitet e me duar të lidhura pas shpine.

Praktikat e deritashme kanë treguar se kur ka pasur mospajtime politike ndërmjet subjekteve parlamentare, qoftë për konstituimin e Kuvendit, qoftë për formimin e Qeverisë, ka pasur insistim nga partnerët dhe aleatët perëndimorë të Kosovës që ta shtyjnë procesin përpara. Kjo, në rastin e tanishëm, aktualisht nuk po ndodh. Pse?

Adrian Shtuni: Duke u bazuar në takimin e ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin në detyrë dje, më 12 maj, dhe deklaratat e tyre pas mbledhjes, unë vlerësoj se interesimi i partnerëve strategjikë për zgjidhjen e paralizës institucionale nuk ka munguar.

Përkundrazi, ka pasur inkurajim të hapur dhe kërkesë të qartë për formimin e qeverisë së re, pa humbur kohë, sepse janë shumë punë që kanë mbetur pezull. Fakti se takimi i ambasadorëve të QUINT-it u mbajt me z.Kurti, dhe jo me gjithë lidershipin e partive kryesore parlamentare, tregon edhe se ku ambasadorët mendojnë se qëndron çelësi i zhbllokimit të situatës për formimin e qeverisë së re.

Pyetja është se çfarë do të bëjë z. Kurti me këtë insistim? A do të ndryshojë qasjen për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit partive të tjera politike? A do të ishte një gjest i tillë i besueshëm, pas ofendimeve që i bëri opozitës ditën e fitores?

Do të dëshiroja që përgjigjia të ishte po, por duke gjykuar nga e kaluara, nuk jam shumë optimist.

Nën dritën e zhvillimeve gjeopolitike, a ekzistojnë shenja, indikacione apo faktorë që zvarritja e formimit të institucioneve në Kosovë i konvenon edhe dikujt prej partnerëve ndërkombëtarë, dhe pse?

Adrian Shtuni: Nuk mendoj se kjo vetëpengmarrje politike, që po ndodh në Kosovë, i konvenon dikujt prej partnerëve ndërkombëtarë, por sigurisht se i gëzon ata që shpesh pretendojnë e propagandojnë se shqiptarët s’dinë të bëjnë shtet.

Pa dyshim, kjo ngecje i konvenon pikërisht atyre që ëndërrojnë dështimin e Kosovës. Dhe, shpresoj shumë se vetëdijësimi dhe zgjidhja do të vijë pa vonesë, dhe pikërisht nga vetë vullneti i klasës politike të Kosovës, dhe jo prej presionit nga jashtë.

Mendoj se treguesi më i qartë i arritjes së pjekurisë së klasës politike të vendit, dhe i konsolidimit të shtetit, është kur vullneti për zgjidhje politike kompromisi vjen si prodhim organik i vetëdijes dhe përgjegjshmërisë politike të lidershipit vendor, dhe jo si pasojë e imponimit nga partnerët strategjikë. Edhe vetë koncepti i partneritetit kërkon maturi, aftësi dhe bashkëpunim nga të dyja palët, dhe jo varësi të njërës ndaj tjetrës.

Pikërisht ky format partneriteti, mbi bazë reciprociteti dhe jo varësie, është duke u kërkuar me insistim nga administrata aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe prej aleatëve të NATO-s, si përgjigje ndaj zhvillimeve dhe sfidave të shumta gjeopolitike e të sigurisë.

Prandaj, faktori politik në Kosovë do të bënte mirë të lexojë qartë këtë dinamikë të re në arenën nderkombëtare, dhe t’i marrë përsipër përgjegjësitë e të zotit të shtëpisë – e jo të presë zgjidhje nga qielli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *