Driton Tali: Kriza në Kuvend është kthyer në maskaradë politike – Zgjidhja janë zgjedhjet e reja
Kriza institucionale në Kosovë po thellohet, teksa vendi hyn në muajin e katërt pa një Kuvend të konstituuar. Pas 15 tentativave të pasuksesshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur të ndjekë rrugën juridike.
AAK ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke e sfiduar procedurën e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që sipas tyre, është duke u keqpërdorur për të bllokuar institucionin.
Ky hap vjen në një klimë të tensionuar politike, ku përkundër thirrjeve për konsensus, mungesa e shumicës së nevojshme ka pamundësuar formimin e plotë të institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit.
Analisti politik Driton Tali në një prononcim për “Bota sot”, bllokadën institucionale në Kuvendin e Kosovës, e ka quajtur një “maskaradë” që po zgjat tashmë prej më shumë se tre muajsh.
Ai ka vënë në pah se asnjëra nga palët politike nuk ka shumicën e nevojshme për të funksionalizuar Kuvendin, dhe se veprimet aktuale janë vetëm manovra për përfitime politike.
Sipas tij, sikur opozita të kishte numrat, do të pranonte çdo kandidat të propozuar nga partia fituese për kryetar Kuvendi, vetëm për ta hapur rrugën e votimit të Qeverisë dhe për ta marrë pastaj vetë pushtetin në rast të dështimit të shumicës aktuale.
“Kjo lojë politike tashti jo që është bërë e mërzitshme por edhe irrituese.
Unë sa po e shoh asnjëra palë nuk e ka shumicën e nevojshme andaj i bëjnë këto sihariqe.
Opozita sikurse t’i kishte votat do ta votonte këdo që partia fituese do ta porpozonte për kryetar/e të Kuvendit me qëllim që Kuvedi të funksionalizohej e pastaj të kalohej në procedurat ligjore për votimin e Qeverisë. Ku, sikur t’i kishin votat, do ta prisnin që së pari partia fituese e zgjedhjeve të dështojë në krijimin e Qeverisē ashtu që atyre t’u vijë radha, dhe ta krijojnë Qeverinë e tyre.
Prandaj, në mungesë të shumicës nga dy anët e kemi këtë maskaradë që po luhet tash e tre muaj.
Prandaj unë them (ta përsëris vetën për të satën herë) se shumë më e ndershme është që udhëheqësit e partive të mëdha kuvendore të mblidhen për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme e mos të na humbasin më kohë as neve e as atyre”, – pëfundon ai.