Rizvanolli godet LDK-në dhe ZRrE-në: “Miliona për korporata vetëm në ëndrrat e tyre – Qeveria Kurti nuk i shërben 1%-shit”
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ashpër ndaj propozimeve për ndarjen e 50 milionë eurove për subvencionimin e bizneseve të mëdha, duke theksuar se një politikë e tillë nuk do të zbatohet nga Qeveria Kurti. Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, Rizvanolli kritikoi LDK-në dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke i akuzuar për populizëm dhe mungesë përgjegjësie institucionale, ndërsa theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj prodhuesve vendorë dhe mbrojtjes së interesit publik në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.
Postimi i plote:
Qeveria e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, do t’u qëndrojë pranë prodhuesve vendorë. Ndërsa për LDK-në e ZRrE-në dhe idetë e ndarjes së 50 milionë eurove për bizneset e mëdha me kaq lehtësi:
Për LDK-në, dhënia e milionave të taksapaguesve bizneseve të mëdha – siç kanë bërë edhe gjatë pandemisë – edhe mund të jetë politikë e dëshiruar, por atë mund ta realizojnë veç nëse i fitojnë zgjedhjet ndonjëherë.
LDK e di shumë mirë se vendimet e ZRrE-së si institucion i pavarur nuk shtyhen as anulohen me nënshkrime e me deklarata boshe, të askujt. Ato mund të sfidohen vetëm në Gjykatë. Por ata kanë zgjedhur cirkun për publikun në vend të substancës. Po të brengoseshin për qytetarët, nuk do të bllokonin konstituimin e Kuvendit, duke pamundësuar kështu edhe raportimin e ZRrE-së në Kuvend.
ZRrE, në vend se të merret me politika qeveritare, bën mirë të shfrytëzojë kohën të analizojë në mënyrë të detajuar shkaqet e rritjes aq të madhe të kostos së furnizimit me energji gjatë vitit të kaluar, përfshirë 10-fishimin e tarifave të transmisionit, dhe nëse këto kanë mundur të evitohen – siç u kam kërkuar edhe përmes komenteve, edhe gjatë takimit në procesin konsultativ. Kjo duhet të jetë tema e parë që Komisioni parlamentar i ardhshëm për Ekonomi do ta trajtojë.
Ndërkohë, sa i përket Qeverisë së Republikës së Kosovës, sigurojmë qytetarët se:
– Vendime për dhënie të “veç 50 milionë eurove” të taksapaguesve për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike të 1%-shit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë, NUK do të ketë me Qeverinë Kurti 2 as 3; dhe
– Qeveria e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, do t’u qëndrojë pranë prodhuesve vendorë që preken nga liberalizimi për të siguruar minimizim të ndikimit në konkurrueshmërinë e tyre e në çmimet për qytetarët. Për këtë kemi punuar dhe jemi duke punuar në të gjitha drejtimet, dhe do të vazhdojmë konsultimet me prodhuesit gjatë ditëve dhe javës në vijim.