OPINIONTË FUNDIT

“Opozita nuk e do Albulena Haxhiun se e quajti kriminel Kadri Veselin”, Zeqiraj: LDK-ja nuk e refuzoi Kurtin, por vetëm një pjesë e saj

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës ende nuk po arrijnë konstituimin dhje zgjedhjen e kryeparlamentarit. Për 14-të seanca më radhë nuk ia arritën qëllimit për atë që ishin mbledhur.

Pozita, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të fundit ka propozuar Albulenë Haxhiun për kryeparlamentare, ish Ministren e Drejtësisë. Por, derisa opozita nuk e do Haxhiun në këtë pozitë, Kosova ka mbetur në një ngërҫ politik.

Por cili është qëllimi i opozitës, a janë kundër fitores së Vetëvendosjes dhe duan të bllokojnë këtë parti në pamundësi për të formuar institucionet apo janë kundër ministres Haxhiu, për shkak të vendime të saj, sa ishte në atë pozitë?

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një prononcim për ‘Bota sot’ thotë se, humbja e thellë e opozitës ka bërë që ata të jenë në një gjendje të ‘çoroditur’.

Ai kritikon opozitën si munden të mos votojnë Haxhiun si njërën nga deputetet më të votuara me 150 mijë vota të qytetarëve të Kosovës.

ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
“Humbja e thellë dhe e pashpresë e ri ngritjes së afërme, e ka demoralizuar dhe çoroditur opozitën, deri në përmasën “sa të humbë rrugën në oborr”! Fillimisht dhe në vazhdim, refuzojnë votimin e deputetes më të votuar, “prej si ka mbi lisi”, me tej 150 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, Albulenë Haxhiu, me “arsyetimin” se ka fyer një kryeparlametar, themelues i Organizatës ilegale kriminale SHIK, duke e quajtur kriminel. Kjo është “një e fshehtë publike” dhe nuk përbënë as fyerje dhe as shpifje, sepse veç sa reprizohet një e vërtetë, tashmë, e njohur. Si “arsye” të dytë, opozita e akuzon Albulenën si “përçarëse”!? Duke qenë ministre e Drejtësisë, në koordinim me Qeverinë dhe ndërkombëtarët, ndonëse Sistemin e Drejtësisë e kishin rrënuar “komandantët” shtetarë e pushtetarë, për t`iu shmangur ndëshkimit ligjor, për krimet vrastare dhe hajnore, kërkohej një forcë ligjore Speciale, Vetting-u. Pas shumë kundërshtive, Kuvendi e aprovoi. Por, opozita u pendua dhe “nuk la gurë pa lëvizur”, madje deri në -Komisionin e Venecias- për ta penguar fillimin e zbatimit”, thotë Zeqiraj.

Zeqiraj thotë më tutje se, Byronë për Verifikimin e Pasurive pa mbulesë burimore financiare, opozita e ka bllokuar qysh në nismë, ngaqë zhvatja e shtetit nga shtetarët dhe pushtetarët, ka qenë makro-hajni zyrtare, përgjatë dy dekadave radhazi.

“Për rrjedhojë, zbatharakët dhe brekëgrisurit e djeshëm, u bënë milionerët e sotëm! Vërtet, qëllimi kryesor i opozitës së bashkuar, plus Lista Serbe, është bllokimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe personalisht i Albin Kurtit. Propaganda, shpifjet dhe gënjeshtrat kundër pozitës, respektivisht, Kurtit, me LVV të tij, kanë qenë aq të shumta e korale, nga opozita PAN-iste, Serbia dhe Rusia, sa i besuan gënjeshtrat e veta, duke thënë se “populli u mashtrua njëherë dhe tani është vetëdijesuar dhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk do t`i fitojë as 10 % të votave!” Por, ndodhi e kundërta! Ekstremi opozitar PAN, në bashkëpunim të ngushtë me Serbinë, përgjatë 4 (katër) viteve të qeverisjes të Vetëvendosjes, nuk ka pushuar se intriguari dhe shpifuri, në përpjekje për të denigruar dhe larguar nga pushteti Albin Kurtin dhe LVV. Sanksionet e vëna Kosovës, janë vepër e ndyrë e kësaj opozite, sa destruktive, aq edhe kundra kombëtare. Kulmon koordinimi me Serbinë, kur presidenti Vuçiq urdhëron Listen Serbe t`i bashkohet opozitës shqiptare, për ta rrëzuar nga pushteti Kurtin me partinë e tij”, vlerëson Zeqiraj.

Analisti thotë se, opozita është hehdur në sulm frontal ndaj Vetëvendosjes, duke refuzuar edhe ҫdo takim me ta.

“Opozita e trimëruar, por edhe e tmerruar nga shantazhimi i Serbisë, me dosje të bollshme penalizuese, është hedhur në sulm frontal kundër pozitës. Ndoca krerë partiakë, e përjashtojnë fare fituesin e zgjedhjeve, LVV, jo vetëm nga kompozimi i Qeverisë, por edhe refuzimin e çdo takimi, ku i pranishëm është Albin Kurti dhe LVV e tij! Një sjellje e tillë kriminale e rrugaçerore e opozitës PAN-iste, ka irrituar jo vetëm shumësinë e shqiptarëve vendorë, por edhe ata botërorë”, vlerëson ai.

Zeqiraj ka folur edhe përr ofertën e Albin Kurtit, për koalicion e bashkëqeverisje, të bërë LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku, ka kërkuar një marrëveshje paraprake politike.

“Lidershipi i ri, me ekipin e tij, ka punuar shumë, me profesionistë të fushave të ndryshme, për hartimin e një plan programi zhvillimor ekonomik dhe politik të Kosovës. Për lëndëzimin, realizimin e këtij programi, ai kërkon kryesimin e Qeverisë. Në të kundërtën është përcaktuar që LDK-ja të vazhdojë opozitarizmin aktiv. Mbizotëron opinioni se kryeministri Albin Kurti, edhe pse ka mjaftueshëm zëvendës-kryeministra dhe këshilltarë, ka një ego të sëmurë dhe nuk i konsulton, në masën e duhur, për vendimet që merr, në qeverisjen e vendit. Dibranët tanë, për këtë kanë një urtësi: “Një mendje – asnjë mendje, dy mendje – gjysmë mendje, tri mendje – një mendje”, tha ai.

Sipas publicistit Zeqiraj, për të marrë vendime të pjekura, të mençura dhe vetëkontroll të Qeverisë, një koalicion stabil, i qëndrueshëm është larg më i pranueshëm, se sa një qeveri me një numër deputetësh, sa për ta bërë qeverinë, por që mund ta zhbëjë atë edhe një turbulencë e vogël politike.

“Duhet mësuar edhe nga praktika e vendeve me demokraci të zhvilluara. Pra, oferta e kryetar Lumirit, për bashkëqeverisje me Albinin, deri këtu, është e bazuar dhe e sinqertë. Dhe, pavarësisht se cili është i parë në qeverisje, pa u konsultuar me zëvendësit, nuk duhet marrë asnjë vendim me peshë. Letra ofertuese, për koalicion dhe bashkëqeverisje e Albin Kurtit, për Lumir Abdixhikun, përkatësisht, LDK-në, ishte pozitive dhe e pranueshme për shumësinë e strukturave, anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së. Përkundër, përgjigjja publike, e dhënë Kurtit, nuk përfaqësone mendimin e LDK-së, për veç se të një grupi selektiv, brenda kryesisë dhe të disa deputetëve”, vlerëson Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *