POLITIKATË FUNDIT

“Godet” ish – deputeti i LDK-së: PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe me mbështetjen e Vuçiq-it janë bashkuar për ta rrëzuar Kurtin

Pas dështimi për të 14-tën herë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka reaguar rreth kësaj situate.

Ajo tashmë ka ftuar në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend, më 15 maj.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, kështu ishte bërë e ditur para disa ditësh nga zyra e Presidentes.

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka deklaruar se qëllimi kryesor i opozitës është të mos lejojë Albin Kurtin të formojë qeverinë apo të konstituojë Kuvendin.

Sipas tij, ekziston një unitet mes PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe, me mbështetjen e presidentit serb Vuçiq, për ta rrëzuar Kurtin dhe për ta kthyer gjendjen në veri të Kosovës në gjendjen paraqeverisëse.

Ai paralajmëron se një qeveri e mundshme me ndihmën e Listës Serbe do të jetë e përkohshme dhe e rrezikshme për sovranitetin e vendit.

Salihaj shton se nuk pritet ndonjë marrëveshje nga takimi me Presidenten Osmani dhe se zgjedhjet e reja janë skenari më i mundshëm.

“Qëllimi i opozitës është me çdo kusht të mos lejohet Kurti ta formojë qeverinë, madje as ta konstituojë kuvendin. Këto qëndrime janë shumë të qarta. Për këtë arsye, nuk duhet pritur asgjë nga takimi me Presidenten Osmani. Ajo i ka ftuar në takim për shkak të procedurave, jo se pret ndonjë marrëveshje.

Vërehet një unitet shumë i madh i PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës serbe. Vetë prononcimi i Vuçiqit ka qenë shumë i qartë, që bashkë me opozitën shqiptare, të mos e lejojnë me asnjë kusht që ta vazhdojë ta qeverisë Kosovën Kurti. Synimi është që opozita, bashkë me listën serbe ta marrë pushtetin dhe ta kthejë gjendjen në Veri ashtu siç ka qenë për njëzet vjet, pra, de facto, si tokë të Serbisë, ku shteti i Kosovës nuk ka pasur fare qasje. Por, në anën tjetër, as opozita nuk i ka numrat pa Listën serbe, ndërsa me Listën serbe, pushteti eventual i opozitës mund të zgjasë vetëm deri te zgjedhja e presidentit dhe aty përfundon çdo gjë. Nëse krijojnë qeveri me Listën serbe, nuk kanë pse dalin në zgjedhjet e ardhshme.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, nuk duhet pritur asgjë nga ky takim. Gjasat janë që të shkohet në zgjedhje të reja”, deklaron ai për “Bota sot”.

Kujotmë, se LDK, PDK dhe AAK kanë konfirmuar pjesëmarrjen përtakim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *