OPINIONTË FUNDIT

Vizita e Vuçiqit në Moskë/ Avokati shqiptar zbardh prapaskenat: Duhet ta dinë të gjithë shqiptarët se Rusia dhe Serbia…

Vizita e Aleksandar Vuçiq në Rusi ka tërhequr vëmendje të madhe, duke qenë se është një ngjarje që ndodh në një kohë delikate për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politike, veçanërisht për shkak të tensioneve që kanë lindur për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndikimit të Bashkimit Evropian (BE).

Edhe pse BE ka kërkuar që Serbia të shmangë vizita të tilla, për shkak të angazhimit të saj për të ruajtur lidhjet me Perëndimin dhe për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE, Vuçiç ka vazhduar të mbajë një politikë të ekuilibruar, për të ruajtur marrëdhëniet me Rusinë.

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota Sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Ai tha se Rusia dhe Serbia janë kundër shqiptarëve, mirëpo që të dyja nuk mund të bëjnë asgjë përballë shqiptarëve.

“Duhet ta dinë të gjithë shqiptarët se Rusia dhe Serbia kanë qenë dhe janë bashkë dhe kundër shqiptarisë. Ata janë kundërshtarë të mëdhenj të çështjes shqiptare. Nuk duhen përfillur fare, sepse në këtë kohë, shqiptarëve ata nuk u bëjmë dot gjë,” u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai shtoi se shqiptarët duhet të jenë bashkëpunues mes vetes, duke përmendur edhe çështjen e Çamërisë.

“Dhe shqiptarët në Gadishullin Ilirik duhet të jenë gjithmonë bashkë, sepse pas shekujsh ne tani jemi bashkë. Dhe bashkëpunimi ynë duhet të vijojë vrullshëm edhe me Maqedoninë e Veriut. Sepse shumë shpejt do të fillojë edhe çështja e Çamërisë, në ndihmë dhe në zmadhimin e shqiptarisë,” përfundoi avokati Ngjela për “Bota Sot”.

Kujtojmë që vizita e Vuçiç në Rusi, pavarësisht kërkesave të BE-së, pasqyron angazhimin e tij për të ruajtur një qëndrim të pavarur në politikën e jashtme të Serbisë, ndërsa kërkon të sigurojë mbështetje nga Rusia në një kohë të pasigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *