POLITIKATË FUNDIT

AAK po kërkon “shpëtim” përmes PDK-së? Shqiptaro-amerikani zbulon kurthin në të cilin është kapur opozita

Krijimi i institucioneve është bërë pothuajse i pamundur.

Opozita dhe disa parti opozitare po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërsa disa të tjera propozojnë krijimin e një qeverie pa fituesin e zgjedhjeve.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar që të formohet një qeveri nga opozita, e udhëhequr nga Bedri Hamza, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e Nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Aliçkaj ka thënë se përmes kësaj deklarate, Tahiri ka pranuar se bllokimi i krijimit të institucioneve shtetërore po bëhet nga opozita, në bashkëpunim me Listën Serbe.

ImageAgim AliçkajFoto galeri
“Deklarata e fundit e nënkryetarit të AAK-së Z. Besnik Tahiri është shumë interesante. Ai thotë se mosvotimi i Kryeparlamentares Albulena Haxhiu është një “kurth i madh” i kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, sepse meqë opozita nuk po e voton kryeparlamentaren, Lëvizja Vetëvendosje e krijon të drejtën ta bëjë të njëjten gjë me nënkryetarët e parlamentit, përderisa do të vazhdon ta qeverisë shtetin.

Sipas tij, kandidati i propozuar VV-ja është dashur të votohet dhe zgjedhet menjëherë, qysh para 30 ditësh. Pastaj të gjitha forcat duhet të koncentrohen në krijimin i qeverisë. “Ne kemi garu që ta largojmë këtë qeveri” thotë ai, duke pretenduar se Kurti nuk i ka votat për krijimin e qeverisë, ndërsa opozita e unifikuar në krye me Bedri Hamzën i ka.

Kjo gjë do të ishte në rregull sikur ai ta thoshte të vërtetën e plotë se nëse ekziston kurthi, atë e ka krijuar vetë opozita, jo z. Kurti. Pra, ata janë kapë në kurthin e vet. Ky është edhe pranim nga ana e tij se krijimin e institucioneve shtetërore është duke e bllokuar opozita e “unifikuar” bashkë me “lista srpska”, pa të cilën as ata nuk mund ti bëjnë numrat. Këtë e vërtetojnë edhe përpjekjet e shumë eksponentëve të opozitës gjatë tërë kësaj kohe, që ta bëjnë rehabilitimin e listës serbe”, ka thënë Aliçkaj.

Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, ekziston frika se AAK nuk do ta kalojë pragun zgjedhor.

“Duket se te ai ekziston frika që nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, AAK nuk do ta kalon pragun, prandaj janë të gatshëm që të bëjnë koalicion edhe me një parti armiqësore të Kosovës për të mos shkuar në zgjedhje”, ka vlerësuar ai.

Veprimtari Aliçkaj e ka ritheksuar se Kurti e ka marrë besimin nga votuesit dhe se do të ishte apsurde nëse qeveria do të bëhej nga partit opozitare të cilat i kanë humbur zgjedhjet.

“Përpjekjet e tyre duhet të dështojnë. Populli i Kosovës edhe kësaj radhe ja ka dhënë besimin z. Kurti që ta krijojë qeverinë. Sipas interpretimit të kushtetutës, nga njëri ndër hartuesit, Z. Arsim Bajrami, e bërë në kohën e kryeministrit Thaçi, askush nuk ka legjitimitet të plotë ta merr pozitën e Kryeministrit, përveç partisë e cila ka fituar më së shumti vota. Dhe, nëse ajo parti nuk ja arritë ta sigurojë shumicën parlamentare, atëherë nuk ka rrugë tjetër, përpos zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Do të ishte një apsurd i llojit të vet dhe dëmtim i interesave shtetërore nëse do të bëhej qeveria nga disa parti humbëse të cilat në programet e veta nuk kanë asgjë të përbashkët, përveç urrejtjes ndaj kryeministri Kurti, i cili në këtë moment është pengesa e vetme për ta që ta marrin pushtetin. Frika e tyre kryesore është, se në këtë mandat, partia në pushtet mund ti sjellë para vetingut dhe do ta humbin pasurinë e paligjëshme të krijuar gjatë kohës kur ata ishin në pushtet”, ka shpjeguar ai.

Tutje, Aliçkaj e ka konsideruar të rrezikshme një situatë ku opozita do të vinte në pushtet përmes një koalicioni me Listën Serbe.

“Gjëja më e rrezikshme për shtetin e Kosovës do të ishte nëse opozita do të bënte koalicion me listën serbe. Ky akt i rëndë tradhëtie do ti zhbënte arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë Kurti në Veri të Kosovës dhe do ta kthente pushtimin fashist serb në Kosovë. Këtë gjë nuk do ta pranonte kurrë populli i Kosovës”, ka cilësuar ai.

Në fund, Aliçkaj është shprehur se Kosova ka nevojë për krijimin e institucioneve shtetërore, si dhe për një opozitë konstruktive.

“Kosova, në këtë moment, ka nevojë shumë për një opozitë të fortë konstruktive. Të kuptohemi, kritikat për opozitën kanë të bëjnë me lidershipin e tyre dhe një pjesë të anëtarëve militant, jo për anëtarësinë e gjerë të tyre ku ka shumë individ të aftë e të ngritur. Udhëheqja e tashme e PDK-së nuk i përfaqëson vlerat e UÇK-së, familjes heroike Jashari dhe interesat e luftarëve të lirisë, kurse ajo e LDK-së e ka devijuar keq rrugën e presidentit Ibrahim Rugova.

Është momenti i fundit që krerët e opozitës ta kuptojnë se i kanë humbur zgjedhjet me fajin e vet, të ndryshojnë dhe të përgaditen për zgjedhjet e radhës. Është në interes të shtetit por edhe të tyre që kryeministri Kurti ta krijon qeverinë sa më parë, për të vazhduar funksionimi i shtetit. Ai, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeparlamentarin e deritashëm Glauk Konjufca dhe disa liderë tjerë të aftë, tashpërtash janë shpresa e vetme e luftimit të korrupsionit dhe gjunjëzimit të Serbisë”, ka përfunduar Aliçkaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *