OPINIONTË FUNDIT

“Mospërfillja” e Vuçiqit ndaj BE-së, “prapaskena” e shkuarjes në Moskë, kërkohet që Kosova të…

Udhëheqësit e vendeve evropiane në mes të muajit prill e patën paralajmëruar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për pasojat e udhëtimit të mundshëm në Moskë më 9 maj.

BE pati vënë në dukje se të qenit në një paradë me pjesëmarrjen e trupava që morën pjesë në luftën e Federatës Ruse kundër Ukrainës do të shkelte “kriteret e anëtarësimit” të Serbisë.

Por, këto paralajmërime nuk i mori për bazë presidenti serb, i cili një ditë para 9 majit, ka shkuar në Moskë për të marrë pjesë sot në paradën e madhe ushtarake në Sheshin e Kuq, me rastin e përvjetorit të 80-të të fitores kundër fashizmit.

Vuçiq ka deklaruar se vizita e tij në Moskë është e rëndësishme për arsye konkrete dhe racionale, përfshirë çështjet e energjisë dhe marrëdhëniet dypalëshe, por se në vend të mirëkuptimit nga Perëndimi, po përballet me kërcënime dhe përpjekje për frikësim.

Gjersa, Vuçiq vazhdon “të shkelë” kundër BE-së e paralajmërimeve të saja, Kosova duke mos bërë një gjë të tillë vazhdon të jetë nën sanksione.

Arsyet e shkuarjes së Vuçiqit në Moskë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se kreu i shtetit serb ka shkuar në Moskë për shumë arsye.

ImageEnver BytyçiFoto galeri
Sipas tij, ai shkoi edhe në shenjë hakmarrjeje për atë që i ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po merr pjesë në manifestimet propagandistike të Moskës me rastin e 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin. Dihet se ky manifestim është një maskë e veprimeve të “Hitlerit të Shekullit XXI”, Vladimir Putin. Presidenti i Rusisë i zhvillon këto manifestime si fitues në Luftën e Dytë Botërore, sepse me këtë dëshiron të arrijë dy objektiva:

Së pari, të thotë se Europa dhe zemra e saj, Gjermania, është fajtore për gjithçka – jo vetëm në Luftën e Dytë Botërore, por edhe sot.

Së dyti, të japë mesazhin se ai, pra Putin, nuk është si Hitleri, por është fituesi dhe paqebërësi i kohës së sotme.

Intriga e Putinit nuk ecën. Por ajo që e implikon në këtë intrigë Aleksandër Vuçiq ka të bëjë me faktin se edhe presidenti i Serbisë ndjek modelin e presidentit të Rusisë. Kreu i shtetit serb është sot në Moskë për shumë arsye:

Së pari, për të dëshmuar edhe njëherë aleancën tradicionale me Rusinë.

Së dyti, për të dhënë mesazhin se “lufta kundër Kosovës dhe për Kosovën bazohet në parimet e fitores mbi fashizmin”.

Së treti, për të zhvleftësuar masakrat dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë, gjithnjë sipas modelit të nazizmit dhe fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Për këto arsye, Aleksandër Vuçiq ndodhet në Moskë dhe u prit me ceremoni madhështore nga autoritetet e Kremlinit. Ai shkoi në Moskë edhe në shenjë hakmarrjeje për atë që i ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaron Bytyçi.

Me aktin e shkuarjes në Moskë, sipas Bytyçit, Vuçiq e ka dhënë definicionin se për Serbinë Evropa është larg, shumë larg pikëpamjeve politike, strategjike dhe gjeopolitike.

“Ndërkohë, Bashkimi Europian ka paralajmëruar pasoja nëse Vuçiq do të merrte pjesë në këto manifestime në Moskë. Ky i fundit tha: “Po, unë erdha te Vladimir Putin, por shpresoj që BE të më ndëshkojë mua dhe jo popullin e vendin tim”, pra Serbinë. Këto qëndrime janë manipulime në stilin e tij të përhershëm. Pohimet e Vuçiq janë krejt të lexueshme. Ato synojnë ta mbajnë Serbinë në dy karrige: edhe me Europën, edhe me armikun e betuar të saj – Rusinë.

Të mbash këtë lloj qëndrimi, sidomos sot, kur Europa kërcënohet dhe përgatitet me të gjitha forcat për t’u përballur me një agresion nga Rusia e Putinit, është më shumë sesa cinizëm. Për mua, Aleksandër Vuçiq ka zgjedhur Moskën në vend të Perëndimit. Sepse ai është në kërkim të një kashte për t’i shpëtuar mbytjes në ujërat e qelbëta të nazi-fashizmit të shekullit tonë.

Me aktin që presidenti i Serbisë kreu – me pjesëmarrjen e tij në manifestimet në Sheshin e Kuq të Moskës për të dëshmuar anti-europianizmin e tij – ka dhënë definicionin se për Serbinë, Europa është larg, shumë larg, gjithnjë në pikëpamje politike, strategjike dhe gjeopolitike. Prandaj dhe pritet që Serbia të përballet me sanksione europiane, si dhe me goditje të reja politike nga ana e Uashingtonit”, thekson profesori.

Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment, thotë Bytyçi dhe të kërkojë e të këmbëngulë që asaj t’i hiqen sanksionet e padrejta.

“Po ndodh ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht: se “Serbia nuk mund të bëhet aleat i Perëndimit”, por mbetet e do të mbetet për një kohë të gjatë aleat i Rusisë; se “Përkëdhelja nuk e kthen Serbinë në gjirin e aleancave euro-atlantike”, e të tjera si këto. Nuk ka shans, derisa Vuçiq shkoi të marrë gjithashtu bekimin e kryepeshkopit të Rusisë në misionin e tij anti-perëndimor. Ndaj, ky moment duhet shfrytëzuar. Kosova duhet të kërkojë dhe të këmbëngulë që asaj t’i hiqen sanksionet e padrejta. Emmanuel Macron duhet të pyetet: “Ti që na vure sanksione, inkurajove kreun e shtetit serb dhe vetë Serbinë të forcojë lidhjet me armikun tënd e të Europës – Rusinë!” Mbajtja e Kosovës euro-atlantike nën sanksione është një precedent shumë i rrezikshëm. Nuk merret vesh kush është aleati i Europës dhe kush aleati i Rusisë – Kosova apo Serbia?! Është një turp i madh për Brukselin që penalizon aleatin e tij besnik, Kosovën e lirë e të pavarur, dhe ndihmon me sanksionet e veta aleatin e Rusisë – Serbinë e Aleksandër Vuçiq. Është turp i madh për vendet europiane që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat thonë se “kanë frikë nga Rusia” dhe bëjnë të njëjtën politikë si Moska, me mosnjohjen e Kosovës si shtet! Kur presidenti Bush pati shpallur se Kosova është e pavarur më 10 qershor 2007 në prani të kryeministrit të Shqipërisë, udhëheqësit e Europës ende nuk ishin dakord për këtë pavarësi. Asokohe, shtypi gjerman shkruante për atë që “Amerika natyrshëm është pranë Kosovës, ndërkohë që Europa duhej të ishte pranë saj”. Ende edhe sot vazhdojnë politikat europiane të përçmimit ndaj lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ndryshe, nuk kishte pse të viheshin sanksione, dhe akoma më keq, nuk ka asnjë arsye pse të mbahen ato. Gjithçka u sajua nga miqtë e aleatit të Vladimir Putinit – pra të Aleksandër Vuçiq. Kjo duhej të kishte marrë fund me kohë”, përfundon Bytyçi.

Të enjten në Moskë ishte bërë pritja e liderëve shtetërorë për paradën.

Nikola Sanduloviq, kryetari i Partisë Republikane Serbe, ka shpërndarë në rrjetet sociale një fotografi nga pritja ku aty shihet se ku ishte vendosur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në raport me udhëheqësit e tjerë botërorë.

“Ja sa vlen në politikën reale ndërkombëtare diktatori i çmendur serb Aleksandar Vuçiq. Ulur në rreshtin e fundit pranë padronit të tij Putinit, ashtu si edhe në të gjitha takimet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare ku mblidhen presidentët e vendeve”, shkroi ai.

“Vetëm në Serbi ai mund ta paraqesë veten si një figurë të rëndësishme politike në skenën ndërkombëtare me gënjeshtra, trillime dhe mistifikime personale… Përndryshe, në ato mbledhje gjithmonë shihet qartë se çfarë mendojnë për të dhe si e trajtojnë”, ka shkruar Sanduloviq.

Farsa, “sëmundja” me udhëtimin në SHBA – lidhjet Serbi-Rusi

Publicisti Fadil Lepaja, thotë se edhe “sëmundja” e tij dramatike dhe farsa me udhëtimin në Uashington ishte për të matur pulsin dhe për të marrë vendimin për të shkuar në paradë.

Sipas tij, interesant e oligarëve serbë rreth Vuçiqit e tërheqin ekonomikë dhe vendin e tyre drejt një lidhjeje më të fortë me Rusinë dhe Kinën.

“Aleksandar Vuçiq po merr pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq më 9 maj, një veprim që jo vetëm sinjalizon afrimin e tij me Rusinë, por edhe thellimin e orientimit evroaziatik të Serbisë. Në këtë drejtim, çonte edhe farsa e tij me udhëtimin në Uashington dhe “sëmurja” e tij dramatike, si mënyrë për të matur pulsin dhe për të marrë një vendim të tillë të vështirë, me pasoja të mundshme për Serbinë. Interesat e oligarkëve serb rreth Vuqiç, e tërheqin ekonominë dhe vendin e tyre drejt një lidhjeje më të fortë me Rusinë dhe Kinën. Një aspekt kyç i kësaj qasjeje është marrëveshja e re energjetike mes Rusisë dhe Serbisë, e cila synon të sigurojë kushte më të favorshme për furnizimin me energji. Serbia ka qenë pjesë e projekteve të gazsjellësit rus, duke lejuar kalimin e gazit rus drejt Evropës Perëndimore përmes territorit të saj. Industria serbe e naftës është gjithashtu e kontrolluar nga kompani ruse, veçanërisht Gazprom Neft, e cila zotëron shumicën e aksioneve në kompaninë serbe të naftës NIS. Serbia ende nuk e ka ndryshuar strukturën e aksionarëve të NIS-it, pavarësisht presionit ndërkombëtar për të zvogëluar ndikimin rus në sektorin energjetik. Edhe industria ushtarake serbe është e orientuar shumë më shumë nga Rusia, Kina dhe më pak nga perëndimi. Përveç bashkëpunimit në sektorin e gazit, Serbia ka përfituar nga 61 projekte kineze me vlerë prej 19 miliardë eurosh, duke e bërë atë një pikë kyçe në strategjinë ekonomike të Pekinit në Ballkan. Investimet kineze përfshijnë hekurudha, miniera, fabrika dhe projekte infrastrukturore, duke e lidhur Serbinë më ngushtë me Kinën dhe Rusinë. Nga ana gjeopolitike, Serbia mbetet një aleate e fortë e Rusisë dhe Kishës Ortodokse Ruse, duke luajtur rolin e një dore të zgjatur të Moskës në Ballkan. Kjo e bën Serbinë një mbrojtëse të interesave ruse në rajon, veçanërisht në raport me Kosovën dhe politikën e saj proevropiane”, deklaron Lepaja.

Sipas Lepajës, BE pavarësisht qëndrimeve të Vuçiqit ka pasur qasje të kujdesshme që të mos eskalojë situata në Ballkan.

Frika evropiane se Serbia e rreshtuar qartë me Rusinën dhe Kinën do të thoshte luftë e re në Ballkan, thotë Lepaja, për atë sipas tij, BE është treguar e kujdesshme.

“Pavarësisht qëndrimeve të Vuçiqit, BE-ja ka mbajtur një qasje të kujdesshme ndaj rajonit, duke vazhduar masat kufizuese ndaj Kosovës. Kjo ka ndodhur pikërisht për të mos eskaluar situatën në Ballkan, në mbështetje të interesave Ruse, nga ana e Serbisë. Frika evropiane se Serbia e rreshtuar qartë me Rusinë dhe Kinën do të thoshte luftë e re në Ballkan me pasoja të paparashikueshme ka bërë që BE të jetë e kujdesshme. Megjithatë, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke e cilësuar politikën e BE-së si të padrejtë dhe të panevojshme. Rezoluta gjithashtu mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE, Këshillin e Evropës dhe NATO, duke e vënë në kontrast politikën proevropiane të Kosovës me orientimin evroaziatik të Serbisë. Në këtë drejtim pritet të ketë presion ndaj Serbisë dhe të vazhdohet përpjekja që situata në Ballkan të mos eskalojë dhe problemet e vjetra mos të rihapen në kohën kur ka ndërruar radikalisht raporti i forcave me tërheqjen e SHBA nga izolimi i Rusisë dhe angazhimin e tyre për bisedime direkte mes Moskës dhe Kijevit”, shprehet publicisti.

Tutje, Lepaja shton se perëndimi mund të përballet me presionin për të rishikuar qasjen e tij ndaj Beogradit, por përsëri nuk do të shkojë larg dhe kësisoj mbetet roli i SHBA-së të jetë vendimtar në këtë rrafsh.

“Ka pasur thirrje për dënim më të fortë të veprimeve të Vuçiqit, veçanërisht për retorikën e tij luftënxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve në rajon. Me rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Serbi, Perëndimi mund të përballet me presionin për të rishikuar qasjen e tij ndaj Beogradit dhe për të vendosur masa më të ashpra. Si e shihni ju këtë situatë? A mendoni se BE-ja do të ndryshojë qasjen e saj ndaj Serbisë dhe Kosovës? Nuk mendoj se BE ka kapacitet të shkojë përtej kësaj që e thamë më lart, përtej një deklarimi të qartë për normalizim marrëdhëniesh dhe njohje reciproke, derisa të mos qartësohet drejtimi përfundimtar që po e merr çështja e Ukrainës, mbi të cilat principe pritet të zgjidhen edhe probleme të tjera në Ballkan. Roli i SHBA në këtë rrafsh do të jetë vendimtar, ndërkohë që ende mbetet e paqartë se si do t’i qaset SHBA kësaj çështjeje”, përfundon Lepaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *