OPINIONTË FUNDIT

LDK, Lumir Abdixhiku, Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri – me lot krokodili

Me revan dhe yrysh të madh, LDK më 8 maj 2025 informoi se ka paraqitur 17 kallëzime penale ndaj Kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij me pretekstin se tani janë zgjedhur deputetë dhe se duhet të largohen nga zyrat e tyre, sepse kjo na qenka jokushtetuese – synim që Kosova të mbetet pa zot shtëpie dhe të bëhet hani i Musës, që kush e dojë sipas dëshirës të hyjë e të dalë nga Kosova.

Po ua freskojmë memorien e ndryshkur – LDK-së, Lumir Abdixhikut, Isa Mustafës dhe Lutfi Hazirit: pse nuk u kujtuan tashmë 25 vite nga çlirimi dhe pavarësia e Kosovës të ngrenë aktpadi kundër kriminelëve serbë që kryen tërë ato vrasje, masakra e krime mizore gjatë agresionit gjenocidal të Serbisë në Kosovë në vitet 1998/99?!

Po ua freskojmë memorien e ndryshkur: pse deri sot nuk kanë kërkuar e ngulur këmbë që të zbardhen vrasjet pas shpine të qindra veprimtarëve dhe aktivistëve të LDK-së, në mesin e tyre edhe të veprimtarit Haki Imeri, familjarët e të cilit tashmë prej kohe nëpërmjet mediave po kërkojnë zbardhjen e vdekjes së tij dhe nxjerrjen e urdhërdhënësve dhe të dorasëve para drejtësisë?!

Po ua freskojmë memorien e ndryshkur: pse lejuan që të shuhet fryma e Ibrahim Rugovës, e këtij kolosi të mirënjohur botërisht si mbrojtës i demokracisë, por e ngulitën kryetar nderi të LDK-së Isa Mustafën, akademikun munafik, këtë virus fatal që e shuajti tërësisht frymën e Ibrahim Rugovës në LDK, dhe i cili, kur ishte kryeministër në vitet 2013/15, nënshkroi Marrëveshjen anti-Kosovë për themelimin e Asociacionit serb në Kosovë.

Po ua freskojmë memorien e ndryshkur: pse lejuan që LDK nga një parti avangarde që ishte, u shndërrua në një parti të shitur fund e krye te tradhtarët multimilionerë që e financojnë për interesa të tyre, dhe që kjo parti avangarde është vënë nën kthetrat e tradhtarit Edi Rama e, nëpërmjet tij, nën kthetrat e Serbisë gjenocidale.

LDK, Lumir Abdixhiku, Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri duhet ta kenë kuptuar se Albin Kurti – Kryeministri në detyrë – është gardiani dhe mbrojtësi i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, gjë të cilën, me guximin dhe veprimet e tij, përkundër nëpërkëmbëzave të shumta nga brenda dhe jashtë Kosovës në katër vitet e kaluara, e shtriu sovranitetin skaj më skaj Kosovës. Dhe ju, LDK-ja, insistoni në këto kohë të vështira të themelohet një qeveri tranzitore sipas “reçetës” së ish-Jugosllavisë pas vdekjes së Titos, kur u krijua e ashtuquajtura Kryesi e RSFJ-së.

U ndjeva tejet i indinjuar kur nga Lutfi Haziri – nënkryetari i LDK-së – në webfaqen e “Bota Sot” në rubrikën Aktuale më 6 maj 2025 lexova tekstin me titull “Përkujtohet intelektuali Fehmi Agani, shprehet zhgënjimi për mungesë të drejtësisë”, tekst i nxjerrë nga debati në TV1.

O Lutfi Haziri, ato që po deklaron për Akademik Fehmi Aganin janë plotësisht të vërteta, por unë, gazetari Rexhep Torte, reagoj ashpër ndaj hipokrizisë tënde dhe po të pyes publikisht të përgjigjesh pse deri sot nuk keni ndërmarrë as LDK dhe asnjë nismë që Prokuroria në Kosovë të kryejë hetime dhe të ngrejë aktpadi kundër vrasësve mizorë të Akademik Fehmi Aganit – qoftë edhe aktpadi në mungesë.

Oj LDK, o Lutfi Haziri, nderimi i personalitetit të Akademik Fehmi Aganit lyp veprime konkrete, e jo lot krokodili si mashtrim për politikë ditore!

Po jua rikujtoj se unë, Rexhep Torte, të nderuarin Akademik Fehmi Agani e kam njohur në vitin 1967, kur ende nuk ishte lindur Lutfi Haziri dhe kur unë, si kryetar i Shoqatës Studentore Letrare “Përpjekja” në Beograd, shpesh shkoja në Prishtinë për t’u konsultuar me Akademik Fehmi Aganin për aktivitetet tona studentore.

Me nismën time, Shoqatën Letrare “Përpjekja” e zgjeruam në Shoqatë Letrare-Muzikore “Përpjekja”, sepse aso kohe në Akademinë e Muzikës në Beograd studionin shumë studentë shqiptarë si instrumentalistë dhe këngëtarë: Hermine Delhysa, Esat Rizvanolli, Isak Muçolli, Rexhep Munishi, Perver Shehu, Isa Jakupi, Haxhere Kuçani, Musa Piperku, Zekeria Ballata, Rafet Rudi, Luigj Gomilla, Gjergj Kaçinari, Dashnor Xërxa, e shumë të tjerë. Në mesin e studentëve kishte edhe këngëtarë si Osman Hoxha, Agim Rizvanolli, Muhamet Shala, Antigona Delhysa, Litafete Komoni, Igbale Zoga, Selvere Kryeziu, etj.

Atëherë shënuam 10-vjetorin e Shoqatës Studentore “Përpjekja” dhe 500-vjetorin e Lindjes së Skënderbeut me një program të pasur letraro-muzikor të shoqëruar edhe me dramën “Trimi mirë me shumë shokë” të Sulejman Pitarkës, që e kishte përgatitur Shoqata Studentore “Ramiz Sadiku” nga Prishtina me regjisor Krist Berisha, ku rolin kryesor e luante Hasan Salaj – dramë e shoqëruar nga kënga “Trim o Skënderbe” e komponuar dhe e shoqëruar me fizarmonikë nga i talentuari Zekeria Çarkaxhiu-Zuka. Në krye të kësaj shoqate ishte Ali Gojani.

Në këto manifestime, Shoqata Letrare-Muzikore “Përpjekja” në Beograd i priti si mysafirë shoqatat simotra nga Zagrebi, Lubjana, Sarajeva, Shkupi dhe Dibra, që më pas u bënë nikoqire të këtij aktiviteti për studentët shqiptarë nga këto qendra universitare. Sa për informim, unë i kam pasur shokë të ngushtë gjilanasit, poetët Beqir Musliu, Haxhi Vëkshi dhe muzikantët Isa Jakupi dhe Rexhep Munishi.

O Lutfi Haziri – nënkryetar i LDK-së – më 5 maj 2025 deklarove se: “Kur po futem në Kuvend, më duket si me hy në varreza. Situata në Kuvend po bëhet nevrike për të gjithë, beso edhe për mua. Kur të hy në seancën e Kuvendit më duket sikur me hy me vizitu varreza.”
O Lutfi Haziri, kjo deklaratë e jotja në këtë moshë të pjekurisë sate 58-vjeçare të lakuriqon e të demaskon ty dhe tërë LDK-në, që jeni bërë pjesë e një loje të ndyrë sa tradhtare aq edhe të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

O Lutfi Haziri, këtë situatë të nderë dhe me ngërç në Parlamentin e Kosovës e ka shkaktuar PDK, LDK, AAK dhe Nisma për ta bllokuar krijimin e Qeverisë së Kosovës me në krye Albin Kurtin dhe institucionet e saj, me shpresë se armiqtë e Kosovës do t’ju kthejnë juve opozitën që, së bashku me Listën Serbe, ta udhëhiqni Kosovën – për ta shpëtuar veten nga tradhtitë, vëllavrasjet dhe hajnitë që ia shkaktuat Kosovës. Edhe pse një gjë e tillë do të thotë shkatërrim i shtetit të Kosovës dhe shkelje mbi gjakun dhe dinjitetin e dëshmorëve të saj.

Akademik Fehmi Agani, me heroizmin e tij duke e sakrifikuar veten për t’i shpëtuar të rinjtë shqiptarë të radhitur për t’u pushkatuar nga policia serbe afër trenit të kthyer me shqiptarë nga kufiri Kosovë-Maqedoni, është shembulli më i mirë që duhet ta ndjekim të gjithë për ta fuqizuar shtetin e Kosovës – e jo siç po veproni sot ju në LDK me Lumir Abdixhikun, Isa Mustafën dhe me ty.

O Lutfi Haziri, në deklaratën tënde dhënë TV1 shprehesh: “Fehmi Agani është humbje e madhe për Kosovën. Fehmi Agani ka ndërtuar mendim politik. Gjithçka që lidhet me deklaratën e pavarësisë së Kosovës, zgjedhjet, referendumin, kushtetutën e Kaçanikut dhe proceset e mëdha në unifikim të faktorit shqiptar e mban emrin e Fehmi Aganit.”

“Ekzekutimi i Profesor Fehmi Aganit në ditët e luftës në Kosovë ka qenë hakmarrja më e madhe që iu është bërë rezistencës politike të Ibrahim Rugovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Është e dhimbshme dhe për keqardhje që edhe pas më shumë se dy dekadash, akoma nuk ka drejtësi për vrasjen e Aganit”, thotë ai.

O Lutfi Haziri, a ende s’e ke kuptuar se e para që është dashur të angazhohet për të zbuluar e ndëshkuar vrasësit mizorë serbë të Akademik Fehmi Aganit është LDK-ja, Isa Mustafa, Lumir Abdixhiku dhe ti, zotrote Lutfi Haziri?! Kjo është e vërteta që po mundoheni ta mbuloni me lot krokodili dje dhe sot!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *