Therandë: Aktakuzë për zyrtarët komunalë – VV kërkon përgjegjësi për keqpërdorimet në ndërtimin e shkollës në Tërrnje
Lëvizja Vetëvendosje në Therandë ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës së Suharekës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë ndërtimit të shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërrnje.
Sipas reagimit të VV-së, ky është një ndër rastet më flagrante të shpërdorimit të detyrës dhe dëmtimit të interesit publik. Ata theksojnë se ndonëse projekti i kontraktuar parashihte ndërtimin e shkollës me podrum (B+P+1), objekti është përfunduar pa këtë pjesë, duke devijuar nga kontrata fillestare.
“Në kuadër të denoncimeve tona të vazhdueshme, organet e drejtësisë më në fund kanë konfirmuar këtë shkelje serioze. Projekti është ndryshuar në mënyrë të paligjshme nga menaxheri i tij, duke anashkaluar kompaninë projektuese dhe duke pranuar punime në kundërshtim me kontratën dhe rregullat e prokurimit,” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Aktakuza, e ngritur pas më shumë se tre vitesh hetime, i ngarkon zyrtarët komunalë se gjatë viteve 2018-2019 kanë shfrytëzuar pozitën për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme në favor të operatorit ekonomik.
VV kërkon që gjykatat ta trajtojnë me seriozitet të plotë këtë rast, duke e konsideruar si një hap të domosdoshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve që dëmtojnë interesin publik.
“Aktakuza duhet të shërbejë si precedent për ndaljen e abuzimeve me fondet publike dhe përgjegjësinë institucionale,” përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Therandë.