INTERESANTEOPINIONTË FUNDIT

Diagnostikimit i depresionit përmes inteligjencës artificiale – projekti inovativ i Hana Selmanit

Hana Selmani, një studente e re nga Shkupi, ka publikuar së fundmi studimin e saj të parë shkencor, që trajton zhvillimin e një programi të bazuar në inteligjencë artificiale për zbulimin dhe diagnostikimin e depresionit. Ky sistem ka arritur një saktësi të jashtëzakonshme prej 99 për qind, duke premtuar aplikime të rëndësishme në shëndetin mendor.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në institucionin ndërkombëtar NOVA në Shkup, Hana vijoi studimet në degën e Shkencave Kompjuterike në New York University Abu Dhabi. Gjatë qëndrimit të saj atje, ajo punoi nën mentorimin e profesoreshës Mai Oudah, udhëheqëse e laboratorit të Informatikës Bio-kompjuterike. Pikërisht në këtë kontekst lindi edhe tema e saj e diplomës: përdorimi i të dhënave nga mikrobioma e zorrëve – komuniteti i mikroorganizmave që jetojnë në traktin tretës – për identifikimin e depresionit.

Duke u mbështetur në teknikat e avancuara të mësimit të makinerive (machine learning), Hana zhvilloi një model parashikues që analizonte ndryshimet në përbërjen bakteriale të mikrobiomës për të dalluar individët me depresion nga ata pa këtë gjendje.

Për këtë qëllim, ajo dhe ekipi i saj përdorën të dhëna nga 90 persona – 43 prej tyre të diagnostikuar me depresion dhe 47 pa diagnozë – për të ndërtuar modelin. Me anë të teknikave të “përzgjedhjes së veçorive” (feature selection), ata identifikuan 30 deri në 50 baktere që përfaqësonin dallueshmëri të lartë midis dy grupeve, duke i dhënë kështu projektit potencial për të zbuluar biomarkera të rinj të depresionit.

Modeli tregoi një performancë mbresëlënëse, me një rezultat AUC prej 0.991 – që i korrespondon një saktësie prej 99 për qind. Ky nivel i lartë i saktësisë e bën sistemin një mjet të mundshëm për diagnostikim të hershëm, të përballueshëm dhe të qasshëm për shumë njerëz që, për shkak të kufizimeve financiare apo mungesës së specialistëve, kanë vështirësi në qasjen e ndihmës psikologjike.

Përtej vlerës klinike, ky studim ndërthur bioinformatikën me psikologjinë, duke krijuar ura të reja ndërdisiplinore. Programi gjithashtu ofron bazë për studime të mëtejshme mbi ndikimin e mikrobiomës në shëndetin mendor dhe hap rrugë për përdorimin e biomarkerëve të zbuluar në kërkime biologjike më të thelluara.

Në të ardhmen, Hana synon të vijojë rrugëtimin akademik me një master në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo gjithashtu është në proces të botimit të një artikulli të dytë në fushën e sigurisë së çipave elektronikë dhe shpreson që puna e saj mbi diagnostikimin e depresionit të adoptohet nga kompani teknologjike apo institucione publike shëndetësore, për të pasur një ndikim sa më të gjerë në shoqëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *