Ftesa për LDK-në ishte mjet presioni për..”, Rron Gjinovci “zbulon” çka fshihej pas letrës: Albinit i hapet rruga…
Aktivisti Rron Gjinovci, thotë se ftesa për LDK-në ishte në fakt mjet presioni për Fatmir Limajn.
Sipas tij, prapa kësaj ftese shihet presioni që Limaj të heq dorë nga pozita e kryeparlamentarit dhe tani refuzimi i LDK-së i hap rrugë Kurtit për kompromise me Limajn dhe minoritetet.
“Ftesa për LDK-në ishte në fakt një mjet presioni ndaj Fatmir Limajt! Mendoj se nga mënyra si ishte shkruar, nënteksti i saj ishte fyese. Me një tekst dhe argumente që ngjanin me ato të një adoleshenti, autori ka dashur t’i thotë atij që i drejtohej letra: “Ti je një fëmijë i papjekur, dhe me ty flas në këtë mënyrë, si me një adoleshent.” Mendoj se pas ftesës për LDK-në fshihej presioni ndaj Limajt për të hequr dorë nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, pozitë të cilën, sipas gjasave, Limaj e ka kërkuar për vete, sepse një post ministror nuk mund ta marrë. Kjo për faktin se do të duhej të zëvendësohej ndonjë deputet nga radhët e AAK-së, gjë që do ta rrezikonte koalicionin për nga numrat.
Tani që LDK përfundimisht ka refuzuar, Albin Kurtit i hapet rruga për kompromise me Limajn dhe me pakicat. Për ta nxjerrë Lumirin dhe opozitën shumë të dobët, Albin Kurti do të duhej që, para se të ndodhte propozimi i Lumirit për një takim me qëllim të formimit të një qeverie të përkohshme, ta zgjidhte Fatmirin Kryetar të Kuvendit dhe brenda një kohe të shkurtër të siguronte numrat — të dihej se kush është e kush s’është për Qeverinë Kurti 3. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, urime për zgjedhje të reja”, ka shkruar Gjinovci.