OPINIONTË FUNDIT

“Shoqëri aksionare”, analistët komentojnë akuzat e Faton Pecit ndaj LDK-së – kritikohet ky vendim i Abdixhikut!

Institucionet e Kosovës po vazhdojnë të jenë të bllokuara, pasi partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë bashkëpunuese dhe koordinuese për të formuar institucionet e reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Vendi është në një kolaps, sa i përket zhvillimeve të fundit politike, ku asnjëra parti nuk merr përgjegjësi, por vetëm akuzojnë dhe refuzojnë bashkëpunimin dhe ftesat për takime konsulative.

Një gjë e ngjashme, ndodhi ditë më parë kur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku refuzoi ftesën e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, në lidhje me gjetjen e një rrugëdalje për bllokadën e krijuar.

Pas refuzimit të LDK-së për takim me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti për zhbllokimin e situatës në Kuvendin e Kosovës, Peci tha LDK-ja e tanishme është një projekt i ri politik që nuk i përket të kaluarës institucionaliste të LDK-së.

Madje, sipas tij, LDK është shndërruar në shoqëri aksionare.

Peci: LDK-ja është shndërruar në një shoqëri aksionare

“LDK-ja kam përshtypjen se është shndërruar në një shoqëri aksionare. Sikur është e privatizuar dhe varet se çka thonë aksionarët. Meqenëse kam qenë në LDK një kohë të gjatë ajo çka LDK-ja është angazhuar të kaluarën por si duket rruga e re është një projekt i ri politik që nuk ka të bëjë me LDK-në e së kaluarës”, tha Peci.

Mirëpo, analistët për “Bota sot” folën në lidhje me faktin se pse LDK-ja po tregohet “jobashkëpunuese” dhe jo institucionaliste, anipse tani ka një strukturë pak a shumë të re të udhëheqjes.

Po ashtu, ata folën edhe se cilat mund të jenë synimet reale të LDK-së.

Mehazi: Refuzimi i ftesës për t’u takuar me fituesin e zgjedhjeve parlamentare Kurtin është vdekje politike për Lumir Abdixhikun

Se pari, profesori Sulejman Mehazi tha se pajtohet plotësisht me deklaratën e kreut të Guxo, derisa kritikoi ashpër refuzimin e ftesës që Abdixhiku ia bëri Kurtit.

Githashtu, në prononcimin e tij dhënë “Bota sot” u shpreh se ky refuzim është një ‘vdekje politike’ për Lumir Abdixhikun.

Në këtë rast, tha se Limaj po tregohet më ‘lojtar’ i zgjuar se kryetari i LDK-së.

“Pajtohemi me deklaratën e kryetarit të partisë GUXO, Faton Pecin s’e refuzimi i ftesës që ia bëri, Albin Kurti, LDK-së për marrëveshje politike me rastin e zgjedhjes së, Albulena Haxhiun, Kryetare të Kuvendit është katastrofike për vetë LDK-në e Abdixhikut, se me të vërtetë pasardhësit e partisë së Rugovës, LDK-ja nga një parti me përvojë të madhe institucionale do shndërrohet në një “shoqëri aksionare”. Refuzimi i ftesës për t’u takuar me fituesin e zgjedhjeve parlamentare Kurtin është vdekje politike për Lumir Abdixhikun dhe partinë e tij LDK. Në këtë rast Fatmir Limaj i NISMA-s del më lojtar i zgjuar politik sesa trashëgimtarët e Rugovës të cilët në vend që të hyjnë në institucionet e Kosovës, LDK-ja vullnetshëm shndërrohet në “shoqëri aksinare””, nënvizoi ai.

Kësisoj, profesori tha se me politikat që po zbaton udhëheqësia e re e LDK-së, vetëm se po e largon atë nga rruga e Rugovës dhe po e vazhdon rrugën e Mustafës.

Ftesa e Albin Kurtit për t’u takuar me Abdixhikun duhej të ishte e mirëseardhur për LDK-në, që ka kuptimin e rrugës ideologjike të Rugovës, për fat të keq, refuzimi i takimit me Albin Kurtin, për LDK-në e Abdixhikut është rrugë devijuese politike në drejtim të Isa Mustafës.

Shkurt e qartë, synimi i refuzimit të takimit të Abdixhikut me Kurtin është, se LDK-ja definitivisht është larguar nga rruga politike e Rugovës, duke përkrahur rrugën devijuese të Isa Mustafës.

Mehmeti: Ka kohë që LDK, nuk është më ajo që ka qenë

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti u shpreh kritik ndaj qasjes së LDK-së, duke thënë se nuk ka të bëj asgjë me rugovizmin dhe atë se çka përfaqësonte presidenti histroik Ibrahim Rugova.

Madje, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se pas vdekjes së Rugovës, LDK më shumë ka qenë patericë e PDK-së, se që ka qenë parti institucionaliste.

Në këtë pikë, kritikoi refuzimin që Abdixhiku ia bëri ftesës së Kurtit.

“Ka kohë që LDK, nuk është më ajo LDK që ka qenë. Kryesisht, që prej vdekjes së presidentit Rugova, si më thënë LDK institucionaliste i takon një LDK të shkuar. Kështu që, prej asaj periudhe deri më tani LDK thjeshtë ka qenë një patericë e PDK-së dhe parti e pazarave, jo institucionaliste. Nëse do ishte kështu, sigurisht se do ta kishte pranu ftesën e Kurtit për takim. Rugova ka qenë njeri i dialogut, ka pranu të dialogojë me çdo kë, e këta nuk po pranojnë me dialogu me njerëz tanë. Kjo është e papranueshme, është kundër asaj në të cilën Lumiri thirret në emër të rugovizmit, pasi vetëm rugovizëm nuk është me i ikë dialogut. Pra, Rugova ka qenë njeri i dialogut dhe narracionin politik e ka pas që çdo gjë duhet të zgjidhjet me dialog. Kështu që, një parti që i ikë dialogut, nuk ka të bëjë asgjë me rugovizëm”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehmeti potencoi se mbështet atë se çka ka deklaruar Peci, madje tha se nuk i heq asgjë asaj deklarate, ku parashikoi se me këtë qasje LDK mund të pësoj rënie të thellë në vota elektorale.

“Unë e mbështesë deklaratën e Faton Pecit, pasi ashtu është, nuk ke pse të ia heqësh as edhe një presje. LDK duhet me reflektu dhe duhet me u kthy në ‘shinat’ në të cilat ka qenë dikur, përndryshe rrezikon degradimin e saj edhe më shumë, ku rrjedhimisht në zgjedhjet e ardhshme LDK-ja pritet të ketë një rënie shumë të madhe, mbase njësoj siç ka qenë në vitin 2021”.

Në fund, analisti shtoi se me këto politika të Abdixhikut, nuk pret diçka pozitive për LDK-në. Madje, tha se kryetari aktual me deklaratat e tij, vetëm po humbë më shumë vota.

“Lumiri nuk po reflekton asgjë, thjeshtë po bën propagandë, por në praktikë nuk po i zbaton ato që I thotë, së jemi rugovista, etj. Prandaj, LDK po shkon vetëm poshtë, dhe duket se ‘varrin’ po ia hapë vetë Lumiri me disa servilë të tij. Nuk pres diçka tjetër përveç rënies së LDK-së nëse urgjentisht nuk bën kthesa për t’u kthyer në rrugën siç ka qenë më parë.

LDK duhet me qenë një parti bashkëpunuese dhe me qenë konsistente në qëndrimet e saj, pasi Lumiri me deklaratat e tij ka humbur shumë vota”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *