OPINIONTË FUNDIT

Kush po bashkëpunon me Listën Serbe – LVV apo opozita?!

Spekulimet u zbuluan, maskat ranë: opozita po ecën në vijën e Vuçiqit duke bllokuar institucionet e Kosovës dhe përqafuar Listën Serbe.

Disa opozitarë për vite me radhë përhapën spekulime të ulëta – se “Vetëvendosje është pjellë e PDK-së” apo se kishte marrëveshje të fshehta mes të burgosurve në Hagë, Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit.

Por sot, unë i pyes: kush po bashkëpunon realisht me Listën Serbe? Ju, opozitarët, apo Vetëvendosje?

Kush po bojkoton Kuvendin?

Kush po bllokon themelimin e institucioneve të dala nga vullneti i lirë i qytetarëve?

Kush po i shërben skenarit të Vuçiqit për destabilizim të Kosovës?

Pse rrejshit?

Për pak më patët bindur edhe mua, por sot e vërteta është lakuriq para popullit:

Po, jeni ju që po e sabotoni shtetin dhe demokracinë.

Për analistët që dalin në studio televizive dhe përpiqen të relativizojnë këtë realitet – duhet të jemi të qartë: mjaft më me mashtrime.

Nuk është patriotizëm të përkrahësh bllokimin e institucioneve të tua në favor të Listës Serbe.

Nuk është analizë kur përdor tragjedi për të sulmuar qeverinë që po lufton për ligj dhe rend.

Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm dhe forcë ligjore, duke arrestuar autorët e krimeve – përfshirë rastin tragjik në Kaçanik.

Përkundër kësaj, ish-ambasadori Peci, në mënyrë të papërgjegjshme, përpiqet ta lidhë këtë krim me zgjedhjet – një përpjekje për të errësuar punën e institucioneve të sigurisë.

Për fat të keq, një pjesë e analistëve dhe figurave publike – me retorikë të shteruar – janë kthyer në mbështetës të hapur të sabotimit institucional.

Kjo nuk është kritikë konstruktive, kjo është aleancë e fshehtë për destabilizim.

Populli i Kosovës nuk do të lejojë kthim prapa.

Ne nuk do të pranojmë që kufiri me Serbinë të vendoset te Ura e Ibrit.

Nuk do të lejojmë që veriu të mbetet peng i bandave kriminale të Radojçiqit dhe Listës Serbe – siç e lanë dikur në heshtje disa nga eksponentët e LDK-së e PDK-së.

Thirrja jonë është e qartë:

Bashkohuni në mbrojtje të institucioneve të dala nga vota e lirë e qytetarëve!

Të gjithë qytetarët – pa dallim etnie – meritojnë një shtet që i mbron, që i përfaqëson dhe që nuk shitet.

Ky është momenti i së vërtetës.

Bashkimi nuk është për parti. Është për shtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *