OPINIONTË FUNDIT

“Deputetët t’i dorëzojnë mandatet dhe..”- Kosova pa institucione, juristët japin disa propozime për tejkalimin e bllokadës në Kuvend

Kanë kaluar gati 3 muaj, që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare dhe Kosova ende nuk i ka formuar insstitucionet e reja.

Deputetët dështuan dhjetë herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ndonëse, me Kushtetutë partisë fitues i takon kryeparlamentari i Kuvendit, Haxhiu po shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

Kjo gjë ka krijuar një ngërç politik, që po vazhdon me javë të tëra dhe ende pa asnjë qartësi se si mund të vijojë tutje.

Nuk ka sinjale që partitë politike të arrijnë një marrëveshje politike, kësisoj natyrshëm lind pyetja se “çka nëse nuk arrin të konstituohet Kuvendi?”.

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve juridike, të cilët treguan disa hapa që mund të ndërmerren për daljen nga kjo bllokadë institucionale.

Halilaj: Bllokadë pa asnjë logjikë

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.

Së pari, tha se bllokada që e kanë shkaktuar deputetët e Kuvendit të Kosovës është e paarsyeshme dhe është në kundërshtim me atë për të cilën janë betuar.

ImageGazmend HalilajFoto galeri
“Bllokadë pa asnjë logjikë.

Secili nga deputetët është betuar që do të jenë plotësisht në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarit, forcimit të rendit dhe ligjit, ekonomisë dhe përmirësimit të pozitës së shtetit brenda dhe jashtë.

Me rastin e këtij ngërçi politik shtrohet pyetja: Cila nga këto po arrihet në këtë formë?

Nuk kam njohuri që ligji përcakton një gjë të tillë, përpos që është e ditur për secilin që, kryeparalamentari i takon subjektit politik që i ka fituar zgjedhjet”, deklaroi ai.

Po ashtu, Halilaj tha se partitë që kanë dalë pas LVV nuk kanë drejtë ta kuzhtëzojnë partinë fituese për emrin e kryeparlamentarit/es.

Në këtë pikë, tha se mund të mendohen edhe zgjedhjet e reja, por që të njëjtat nuk është se do mund të sjellnin rezultate shumë ndryshe nga këto që janë sot.

“Nuk ka sens logjik që, partia humbëse të vendos se partia fituese kë do ta vë në krye të institucionit më të lart ligjvënës.

Andaj, e gjithë logjika e shëndosh të dërgon kah bindja që e vetmja mundësi janë zgjedhjet, ani pse nuk është e sigurt që të njëjtat rezultojnë me zgjidhje.

Nuk e kemi komoditetin të organizojmë zgjedhje çdo ditë, por as të qëndrojmë në këso situata pafundësisht”.

Ndër të tjera, avokati vlerësoi se qëllimet e partive opozitare janë klanore dhe jo parimore.

“Shiko zgjedhjet në Gjermani, në shtetin që konsiderohet si gjigandi i Europës, asnjë javë, asnjë ditë, asnjë orë nuk e humbën, por startuan në mënyrë brilante, ani pse janë popull me mbi 84 miliardë banorë.

Si qytetar në rend të parë, por edhe si njohës me përvojë mbi 20 vjeçare i çështjeve juridike, konsideroj që kërkesat e opozitës kanë qëllime puro klanore dhe për këtë qytetarët nuk do të harrojnë”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Burjani: Një opsion, mund të jetë votimi në pako i kryetarit dhe nënkreytarëve të Kuvendit me konsensus të të gjithë deputetëve

Kurse, juristi Blerim Burjani potencoi se një nga mundësitë e daljes nga kjo krizë është që deputetët të dorëzojnë mandatet e tyre dhe t’u hapet rruga zgjedhjeve të reja.

Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” potencoi se pas kësaj procedure, çështja i kalon më pas presidentes.

ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Pasi që ka probleme për të dalë nga procesi i ngurtë aktual, deputetë në bazë të ligjit për zgjedhje të dorëzojnë mandatin në mënyrë individuale, pasi që Kuvendi nuk është konstituar dhe nuk mund ta shpërbëjë veten sipas kushtetutës, atëherë KQZ duhet të miratojë dorëzimin e mandateve individuale dhe partitë të deklarojnë se nuk e bëjnë zëvëndësimin me kandidatë të ri dhe procedura kalon tek presidentja, që duhet të mbledhë liderët partiak për të caktuar datën e re të zgjedhjeve”, nënvizoi juristi.

Në fund, ai përmendi edhe disa opsione tjera, ndër të cilat ishin ndryshimi i kandidatës nga LVV apo lejimi i deputetëve nga partitë e tyre që të votojnë pa presione.

“Ose opsioni tjetër mund të jetë votimi në pako i kryetarit dhe nënkreytarëve të Kuvendit me konsensus të të gjithë deputetëve. Opsioni tjetër: deputetët të jenë të lirë nga partitë, nga trysnia partiake për të votuar sipas bindjes së lirë të tyre për kryetar të Kuvendit. Kurse, eshtë edhe opsioni tjetër që VV të propozojë një kandidat/e konsensual, të pranueshëm për të gjithë deputetët e Kuvendit”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *