OPINIONTË FUNDIT

Takimi Kurti-Krasniqi sinjal për koalicion LVV-PDK? Ja çka thonë analistët

Të shtunën do të mbahet seanca e dhjetë me radhë në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në përpjekjen e 1 majit, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kishte kërkuar që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.

Partitë opozitare PDK, LDK, AAK- Nisma, së bashku me Listën Serbe janë në një linjë sa i përket mos votimit të kandidates së LVV për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ajo shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë që ajo ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

Gjersa, partitë janë në një linjë për mos votim, Partia Demokratike e Kosovës nuk qëndroi në të njëjtin mendim sa i përket takimit me kreun e LVV, Albin Kurtin, takim ky para seancës.

Më 30 prill, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti i kishte dërguar ftesë Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të zhvilluar një takim të përbashkët, me qëllim konstituimin e Kuvendit.

Në ftesë thuhet se duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, fillimisht kryetarët dhe më pas nënkryetarët, tre prej të cilëve sipas VV, do të jenë nga partitë që morën më shumë vota në zgjedhje.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar këtë takim, por një gjë të tillë nuk e bëri Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u takua me kreun e LVV dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për të diskutuar rreth zhbllokimit të ngërçit në Kuvendin e Kosovës.

Por, a mund të jetë sinjal ky takim për një koalicion të mundshëm LVV- PDK dhe si do të funksiononte në rast se bëhet, kanë folur analistët politikë për “Bota sot”.

Thellim mos pajtimesh LVV-PDK

Skënder Zogaj, analist politik, thotë se partitë politike janë kalkuluese finoke që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë.

Sipas tij, moskonsoludimi i Kuvendit të Kosovës është fatkeqësi e madhe.

ImageSkënder ZogajFoto galeri
“Tashmë kemi hy në fazën e absurdeve dhe gjithçka është e mundur e njëkohësisht e pamundur! E mundur nëse partitë politike e kuptojnë se e kanë djallosur punën sepse, kënaqësinë e kërkojnë në fatkeqësinë e popullit dhe të vendit të tyre! Partitë politike janë kalkuluese finoke që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë! Kjo është fatkeqësia që po shfaqet aktualisht dhe po e dëmton rëndë fatin historik dhe perspektivën e shqiptarëve të Kosovës! Moskonsoludimi i Kuvendit të Kosovës është fatkeqësi e madhe, sepse, siç po shihet zgjidhja fatlume është e pamundur”, deklaron Zogaj.

Ai nuk parasheh një koalicion LVV- PDK, gjersa shton se ka thellim mospajtimesh.

“Takimi PDK -VV, nuk dha rezultat! Por as nuk dha ndonjë sinjal, sepse menjëherë pas takimit deklarata e kryetarit të PDK-së sqaroi se nuk ka vullnete për bashkëpunim, por ka thellim të mospajtimeve! Nëntë dështime të konsolidimit të Kuvendit, tashmë e bëjnë Kosovën rast të Librit të Ginesit, shembull për të keq që e dëmton shtetësinë e Kosovës!”, thekson analisti.

Zërat për një koalicion të mundshëm LVV- PDK, tenton t’i “hesht” deputeti i partisë fituese, Mefail Bajqinovci.

Bajqinovci përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nuk ndodhë që LVV të bëjë koalicion me PDK-në.

“Bllokada e LDK-së ndaj Kuvendit ka vetëm një qëllim: të shtyjë Lëvizjen në një koalicion me PDK-në. Por kjo nuk ndodh.

Ne nuk jemi sikurse ju që 20 vjet rresht i keni akuzuar për vrasje politike PDK-në dhe në fund përfundonit në prehrin e tyre politik”, ka shkruar Bajqinovci.

Preferenca për koalicion LVV-PDK

Një qëndrim të njëjtë mban edhe analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai thotë se Kurti nuk është i gatshëm për të ndarë postet kryesore.

ImageNexhat HaziriFoto galeri
“Nuk besoj që mund të ketë ndonjë koalicion në mes PDK-së dhe VV-së, përkundër takimit të djeshëm në mes Kurtit dhe Krasniqit për zhbllokimin e kuvendit. Kurti po tregon se është mosbesues dhe nuk është i gatshëm për të ndarë postet kryesore me partnerin e mundshëm qeverisës. Në fakt ai nuk kërkon partner, por të dëgjuar që ia mundëson vazhdimin e mendësisë së njëjtë qeverisëse. Dhe kjo qasje e tij nuk prodhon mundësi bashkëpunimi me subjektet e tjera politike që vendi të dal nga ky ngërç politik, edhe pse unë do ta preferoja një koalicion në mes PDK dhe LVV”, deklaron Haziri.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, duke fituar kështu 42.30 për qind, e dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *