Rron Gjinovci sfidon raportet për lirinë e medias në Kosovë: “Këtu shpifet më lirshëm se kudo”
Në një reagim të fundit, aktivisti dhe analisti Rron Gjinovci ka vënë në dyshim gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij, i cili e renditi Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e medias në vitin 2025, duke shënuar një rënie prej 24 pozicionesh nga viti i kaluar. Gjinovci shprehet se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin në terren, duke theksuar se në Kosovë mediat shpifin lirshëm pa u përballur me pasoja.
“Për besë kjo është e pamundun. Në ekzistoft naj vend në botë ku mediat shpifin ma lirshëm se në Kosovë pa kurrfarë pasoje, atëherë kjo e dhanë është e vërtetë. Kaq di të them,” ka deklaruar ai.
Kjo deklaratë ka ngjallur debat në opinionin publik, veçanërisht në kontekstin e kritikave të vazhdueshme ndaj Qeverisë për presion ndaj mediave dhe përpjekjeve për të kufizuar pavarësinë e tyre. Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare dhe vendore kanë shprehur shqetësim për rritjen e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, si dhe për ndryshimet ligjore që mund të cenojnë lirinë e shprehjes.
Ndërsa disa e shohin deklaratën e Gjinovcit si një kritikë ndaj mungesës së përgjegjësisë së mediave, të tjerë e interpretojnë atë si një minimizim të problemeve reale me të cilat përballen gazetarët në Kosovë. Në çdo rast, kjo deklaratë ka rikthyer vëmendjen te sfidat e lirisë së medias në vend dhe nevojën për një debat të thelluar mbi këtë çështje.