Reagon Dalipi: Qeveria Kurti më transparente se paraardhëset – nuk ka shpenzuar miliona për propagandë mediatike
Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Kështu theksohet në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij.
Sipas këtij raporti, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda.
Ky raport ka ngjallur reagime dhe kritika të shumta që i janë adresuar Qeverisë Kurti 2.
Shefi i kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar ndaj kritikave për qasjen e qeverisë ndaj mediave, duke theksuar se Qeveria Kurti është më e hapura dhe më transparente në raport me publikun dhe median, krahasuar me qeveritë e kaluara.
Sipas Dalipit, ekzekutivi aktual është i vetmi që nuk ka shpenzuar miliona euro për propagandë apo për të blerë heshtjen e mediave nëpërmjet kontratave njëburimore.
“Qeveria Kurti është qeveria më e hapur ndaj mediave, e vetmja që nuk ka shpenzuar miliona për propagandë, që nuk i ka blerë apo heshtur mediat përmes kontratave njëburimore”, shkruan Dalipi në një postim në Facebook
Ai ka publikuar të dhëna krahasuese, sipas të cilave qeveritë e mëparshme kanë pasur shpenzime shumë më të larta në kontrata me media.
“Për krahasim, vetëm përmes kontratave njëburimore:
• AAK gjatë qeverisjes së saj shpenzonte rreth 2,900 euro në ditë për media – 13 herë më shumë se Qeveria Kurti.
• PDK – rreth 2,000 euro në ditë, 9 herë më shumë se Qeveria Kurti.
• LDK – rreth 1,400 euro në ditë, 6.5 herë më shumë se Qeveria Kurti.
Dikush për këto fakte kishte me thënë: paguaju për të heshtur për qeverisje të dobët dhe për ta sulmuar LVV-në sa ishte në opozitë, dhe tani paguaju për ta sulmuar qeverisjen e LVV-së. 🤷♂️”, shprehet Dalipi.
Dalipi shton se shumë nga kritikat e tanishme ndaj qeverisë vijnë nga media që kanë humbur përfitimet financiare nga shteti. Sipas tij, kjo nuk është shenjë e një qasjeje armiqësore ndaj medias, por një përpjekje për të ndërtuar një sistem më transparent e më të drejtë.
“Qeveria aktuale nuk ka investuar në heshtje mediatike, por në rritje të transparencës. A është kjo “sulm ndaj medias”? Apo është sfidim i një sistemi të vjetër që mbështetej në pagesa nën tavolinë për mbulim të favorshëm?
Shumë prej mediave që sot e portretizojnë qeverinë si anti-mediatike, janë pikërisht ato që kanë humbur benefitet financiare nga buxheti i shtetit.
Kjo qeveri nuk e sheh median si armik, por as si partner në heshtje. Liria e medias nuk duhet të matet me afërsinë me qeverinë, por me distancën nga interesat financiare dhe politike.
Një aspekt që duhet të merret parasysh është se një pjesë e konsiderueshme e individëve të intervistuar apo të konsultuar për këtë raport janë përfaqësues të organizatave shumë të vogla, shpesh të strukturuara si iniciativa individuale (“one-man/ëoman-shoës”) që mbështeten kryesisht nga fondet e donatorëve ndërkombëtarë — të cilat, kohët e fundit, janë reduktuar ndjeshëm (përfshirë edhe nga mbyllja e USAID)”, nënvizon Dalipi.
Gjithashtu, Dalipi ka theksuar se në asnjë mandat të mëparshëm nuk ka pasur një nivel kaq të lartë komunikimi publik nga ana e Kryeministrit, përmes rrjeteve sociale.
“Facebook-u, në këtë kuptim, është shndërruar në një mjet informimi po aq – në mos më shumë – efektiv sesa shumë portale tradicionale lajmesh, të cilat, në një pjesë të mirë të rasteve, nuk janë të pavarura nga ndikimi i grupeve të interesit ekonomik apo politik”, ka përfunduar Dalipi.