OPINIONTË FUNDIT

Lufta kundër fajdeve

Huazimi i parave në mënyrë ilegale apo siç njihen me termin ”fajde”, mbetet dukuri mjaft shqetësuese në Kosovë. Përveç që i zhysin njerëzit në varfëri ekstreme, në disa raste përfundojnë me tragjedi.

Një rast i tillë është ai i një viktime të fajdeve, i cili ka vendosur të flasë për herë të parë, ekskluzivisht për emisionin “Uniformat Blu”.

“Para shtatë vjetësh babai ka bërë vetëvrasje, për shkak të fajdeve që i kishte marrë vëllai. S’e kemi pasur borxhin të madh, por babai nuk e përballoi dot. Ra në depresion. E gjetëm duke e bërë aktin, 24 orë kemi luftuar në spital me e mbajt gjallë, por nuk ia dolëm”, tha ai.

Sipas tij, dëmi financiar që iu shkaktua familjes nga grupet e fajdexhinjve arrin vlerën 1.8 milion euro.

“13 mijë euro ishin te njëri, 8 mijë te tjetri, pastaj borxhi filloi me u rritë. Shumën e saktë nuk e di, por me vonesat, vetëm te njëri arritën deri 20 mijë. Kur i kemi mbledh të gjitha, kemi dalë me mbi 700 mijë euro tek një tjetër. Totali. Gati 1.8 milion euro dëm”, shtoi ai.

Në anën tjetër të kësaj lufte, janë njësitet hetimore të Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse, ata kanë ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete për ta ndalur këtë dukuri.

“Si rezultat i hetimeve financiare, në bashkëpunim me prokurorinë, kemi arritur të sekuestrojmë rreth 6 milionë euro. Nga maji i vitit të kaluar deri më tani, kemi realizuar 16 operacione të mëdha, ku janë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për fajde”, tha shefi i njësisë për Hetim të Krimit të Organizuar, Fidan Haliti.

Lufta kundër fajdeve po intensifikohet. Vetëm gjatë muajit prill, Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione të fuqishme, duke arrestuar të dyshuar për fajde, disa prej tyre edhe për trafikim të armëve dhe narkotikëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *