Kur opozita radhitet me Listën Serbe – sulm ndaj vullnetit të popullit!
Siç duket, po realizohet paralajmërimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili menjëherë pas zgjedhjeve deklaroi hapur:
“Opozita në Prishtinë dhe Lista Serbe do ta rrëzojnë Albin Kurtin”.
Dhe çfarë po ndodh sot? Pikërisht ajo që u paralajmërua nga Beogradi.
Po tentohet të zbatohet një skenar që nuk buron nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, por nga jashtë kufijve të saj – një agjendë që rrezikon demokracinë, rendin kushtetues dhe të ardhmen euroatlantike të shtetit tonë.
Unë, si qytetar i lirë dhe si aktivist 40-vjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i bëj thirrje gjithë qytetarëve për bashkim kombëtar e qytetar, për mbrojtjen e institucioneve të dala nga vullneti i popullit.
Populli i Dardanisë dhe qytetarët e ndershëm të Kosovës e dinë mirë: sot nuk është koha për të heshtur.
Sot është koha të flasim qartë, me zë të fuqishëm dhe qëndrim të palëkundur.
Më 9 shkurt 2025, qytetarët folën përmes votës së lirë dhe të ndershme.
Më shumë se 50% e shqiptarëve të Kosovës votuan për Lëvizjen Vetëvendosje, duke i dhënë asaj mandatin për të udhëhequr vendin me legjitimitet të plotë.
Çfarë po ndodh tani?
Pse ky bllokim institucional?
Pse kjo fushatë e organizuar urrejtjeje dhe mohimi ndaj vullnetit të shumicës?
Kjo nuk është opozitë – kjo është sabotim.
Kjo është një përpjekje e qëllimshme për të përmbysur rendin demokratik, për të delegjitimuar institucionet dhe për të përçmuar zërin e qytetarëve.
Askush nuk ka të drejtë të përbuzë votën e popullit.
Askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin, vetëm sepse nuk i pëlqen rezultati i zgjedhjeve.
Sot, opozita – në vend që të jetë zë kritik konstruktiv – është rreshtuar përkrah Listës Serbe, duke bllokuar kuvendin dhe sabotuar funksionimin e institucioneve.
Ky është koordinim i rrezikshëm, jo vetëm kundër një qeverie, por kundër vetë Kosovës si shtet sovran dhe demokratik.
O popull, a nuk po e shihni se ku po na çojnë këta që sillen si shërbëtorë të huaj? Demokracia po rrezikohet, vota e qytetarit po shkelet.
Vetëm protesta masive dhe organizimi qytetar mund ta ndalë këtë të keqe!
Ftoj rininë e të gjitha partive: le të bashkohemi e ta çlirojmë vendin nga matrapazët dhe shitësit e atdheut.
Edhe bota po na kthen shpinën – sepse po i zhgënjejmë! Koha është tani.
Thirrja jonë është e prerë dhe pa ekuivok:
Bashkohuni në mbrojtje të rendit kushtetues, të institucioneve dhe të vullnetit të qytetarëve!
Ky nuk është moment për ndarje – është moment për bashkim.
Jo për parti, por për shtetin.
Jo për interesa të ngushta, por për Kosovën.