Deklaratë shqetësuese nga Mirena: “Në Kosovë po piqen kushtet për një Shqipëri të ’97-ës” – reagime të vakëta ndaj thirrjeve alarmante
Gazetari Ilir Mirena ka ndezur debat të fortë në opinionin publik pas deklaratës së tij provokuese: “Në Kosovë po piqen kushtet për një Shqipëri të 97’tës.”
Deklarata është bërë në një postim të tij publik, ku ai aludon për një krizë të thellë politike dhe sociale që mund të shpërthejë në trazira të brendshme, duke iu referuar kaosit të vitit 1997 në Shqipëri – periudhë e njohur për anarki, dhunë dhe rrëzim institucional.
Ky krahasim i rëndë është parë nga shumëkush si një alarm i panevojshëm dhe i rrezikshëm që nxit tensione dhe destabilitet në një kohë kur vendi ndodhet në një përplasje politike mes Qeverisë Kurti dhe opozitës, e cila po kërkon zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që tensionet politike po rriten, e retorika bëhet gjithnjë e më e ashpër, thirrjet e tilla vlerësohen si të papërgjegjshme dhe potencialisht nxitëse të një përçarjeje qytetare.
“Si guxon një gazetar të bëjë aludime të tilla që prekin kujtesën më të dhimbshme të shqiptarëve?” – janë reagimet që kanë shpërthyer në rrjete sociale. Sipas kritikëve, një thirrje indirekte për konflikt civil është e papranueshme dhe në kundërshtim me etikën mediale.
Aktualisht, Kosova përballet me një krizë të shumëanshme – përplasje politike, përçarje mes institucioneve, presion ndërkombëtar mbi qeverinë dhe një opozitë që po rrit tonin e saj përballë kryeministrit Kurti. Në këtë kontekst, përgjegjësia e mediave dhe figurave publike është më e madhe se kurrë.