Radoiçiqi në arrati, juristi nga Belgjika zbërthen prapaskenat, ‘godet’ ish-pushtetarët e Kosovës – përmend edhe Vuçiqin!
Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar fletarrestim ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas dokumentit që mban datën e 15 prillit, Radoiçiq – ish-nënkryetar i partisë së serbëve në Kosovë, Lista Serbe – akuzohet se ishte pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.
Siç është bërë e ditur, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore e Prishtinës, ka lëshuar fletarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve tjerë, nën dyshimin e arsyeshëm se mes 7 dhe 10 majit të vitit 1999, pjestarë të forcave të armatosure ushtarake dhe policore serbe, në mesin e të cilëve edhe Radoiçiqi me 19 të tjerët, kanë vrarë 106 civil të pa mbrojtur shqiptar, që trupat e të cilëve pas luftës u gjetën në poligonin ushtarak të Batajnicës në afërsi të Beogradit.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Së pari, ai komentoi faktin se pse Radoiçiq nuk mund të dorëzohet para drejtësisë së Kosovës, derisa tha se dorëzimi i tij do ishte ‘fatal’ për Vuçiqin.
“Radoiçiqi për momentin është i paqasshëm për drejtësinë e Kosovës, mbase ai që nga shtatori 2023 gjindet dhe jeton lirshëm në Serbi, e cila edhe përkundër flatarrestit, nuk e ekstradon drejt Kosovë. Serbia për mosekstradimin e Radoiçiqit jep dy arsyetime, e para se, Serbia dhe Kosova nuk kanë marrëveshje për ndihmë juridike, dhe e dyta se, sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Konsideroj se këto janë vetëm dy pretekste, kurse arsyeja e vërtetë për mosekstradimin e Radoiçiqit, është fakti se Radoiçiqi është ekzekutori, kurse koka, projekti, logjistika dhe armatimi, është shteti i Serbisë në krye me Vuçiqin, që do të thotë se, dorëzimi i Radoiçiqit domosdoshmërisht do t’a inkriminonte drejtpërdrejtë Vuçiqin me shërbimet sekrete të ushtrisë serbe. Deri tani, nuk kanë dhënë rezultate presionet e BE-së për vënien e Radoiçiqit para drejtësisë, dhe kështu do të veprohet derisa në pushtet të jetë Vuçiqi”.
Krahas kësaj, Musliu u kthy pas në kohë, siç tha ai në “gjenezën” e problemit të Radoiçiqit dhe aktivitetet e tij kriminale në Kosovë.
ImageSkënder Musliu.Foto galeri
Ai në këtë rast kritikoi edhe politikanët shqiptarë që kanë bashkëpunuar me të, derisa tregoi se pse disa iu kanë frikësuar kryekriminelit serb.
“Për t’a kuptuar drejt rastin e Radoiçiqit, duhet filluar nga gjeneza e problemit dhe shkaqet që sollën deri tek ngritja e tij si « politikan » dhe si kriminel, dhe aktivitetin e tij duhet shikuar vetëm nga kjo prizmë, mbase ai është produkt i politikanëve shqiptar të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, ku bënte pjesë edhe vet Radoiçiqi.
Në gjykimin tim, me kohë ka qenë e ditur se Radoiçiqi ishte pjesë e kësaj masakre, dhe jo vetëm, ashtu sikurse Oliver Ivanoviqi që ishte pjesë e krimeve ndaj popullatës së pa mbrojtur civile në Mitrovicë dhe kishte një proçes gjyqësor. Mirëpo Radoiçiqi ka qenë i mbrojtur nga politikanët e inkriminuar shqiptar, madje në një moment Radoiçiqi kishte deklaruar se, nëse filloj të flas për politikanët shqiptar, atëherë opinioni do t’a kuptonte të vërtetën e errët të tyre. Radoiçiqi i ka patur të gjitha informacionet nga BIA serbe për aktivitetet kriminale të Shtabit të Rognerit, mbase në mesin e anëtarëve të Shtabit të Rognerit ka patur spiuna dhe bashkëpuntor të UDB-së/BIA-s të Serbisë që i kanë informuar « nga dora e parë ». BIA serbe ka qenë në mënyrë perfekte e informuar me zhvillimet dhe ngjarjet që kanë ndodhur me likuidimet politike të aktivistëve të LDK-së para luftës, gjatë dhe pas luftës, prandaj Shtabi i Rognerit gjithnjë i ka refuzuar provat dhe dëshmitë e Serbisë në proçesin gjyqësor të Hagë.
Prandaj, Shtabi i Rognerit kur erdhi në pushtet, nuk ka guxuar ta « hidhërojë » Radoiçiqin, e në veçanti Vuçiqin, mbase të kapur dhe të shantazhuar me të kaluarën e tyre, Thaçi dhe klani e tij, për t’a shpëtuar lëkurën e tyre dhe për t’iu ikur dosjeve të Serbisë, kanë qenë të detyruar t’ia plotësojnë kërkesat e Serbisë, duke shkelur mbi gjakun e mijëra dëshmorëve”, theksoi ai.
Në vazhdim, juristi nga Belgjika potencoi se Radoiçiq gjendet në listë të zezë të SHBA-së dhe Britanisë.
“Mos të harrojmë se, Milan Radoiçiqi, jo vetëm që është në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, por ai është aktori kryesor, pas Vuçiqit dhe aparatit shtetëror të Serbisë, i agresionit mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, në Banjskë në shtatot të vitit 2023, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të Kosovës, mbase edhe publikisht Radoiçiqi e kishte pranuar fajin, për çka edhe ka fletarrest valid ndërkombëtar”.
“Pse është pritur 25 vite për t’iu ngritur kjo aktakuzë Radoiçiqi”
Tutje, Musliu përmendi edhe takimin e famshëm të Haradinajt me Radoiçiqin, si dhe bashkëpunimin dhe lirinë që ia kanë thënë këtij të fundit qeveria e PAN-it, për të vepruar në veri.
“Në vitin 2011 ishte formuar Instituti apo Departamenti për zbulimin e krimeve të luftës, që konsistonte në mbledhjen e provave kundër masakrave dhe gjenocidit të Serbisë, mirëpo si rezultat i kërkesave dhe shantazheve të Serbisë, Hashim Thaçi u detyrua t’a mbyll këtë Departament në vitin 2018, edhe pse ishte bërë një punë kolosale në krye me profesorin dhe specialistin e çështjeve penale, profesor Ismet Saliu. Me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, ky Departament u rihap dhe tani vazhdon punën.
Dikur Radoiçiqi i shkonte në zyre Ramush Haradinajt, i cili deklaronte se, nuk e ka aspak problem të bisedojë dhe bashkëpunojë me Radoiçiqin, në zyren presidenciale i ka shkuar edhe Hashim Thaçit, Radoiçiqi me Listën serbe gjithnjë ia kanë formuar Qeverinë dhe shumicën parlamentare PLAN-it. Opozita e sotme apo PLAN-i gjatë bashkëqeverisjeve suksesive, Radoiçiqit i kanë dhënë tendera shumë milionshe, Veriun e Kosovës ia patën bërë « teslim », institucionet e Kosovës nuk ushtronin kurrfar pushteti, Kosova nuk kishte sovranitet atje, me çka në heshtje ishte përgatitur strategjija për ndarjen e veriut të Kosovës Kosovës.
Madje, Radoiçiqi lidhur me vrasjen e Oriver Ivanoviqit ka patur fletarrest, dhe arrestimit supozohet se i ka ikur duke iu falemnderuar Ramush Haradinajt, i cili paraprakisht e kishte njoftuar për bastisjen në shtëpinë e tij. Ky fletarrest është tërhequr me urdhër të kryeprokurorit të përzgjedhur nga Pronto mafija, Blerim Isufaj, i cili vet e ka pranuar, kurse sipas një ish prokurori, kjo ka ndodhur me intervenimin e politikës duke aluduar në R. Haradinaj”, theksoi juristi.
Gjithashtu, hodhi dyshime mbi faktin se pse kaq gjatë është prit të ngritet një aktakuzë ndaj Radoiçiqin, e që në këtë pikë përmendi edhe politikanët dhe ish-qeveritarët, tanimë që janë opozitë.
Në fund, përgëzoi qeverinë Kurti për punën që ka bërë në veri dhe luftën kundër bandave kriminale serbe.
“Së këndejmi, shtrohet pyetje se, pse është pritur 25 vite për t’iu ngritur kjo aktakuzë Radoiçiqit, kur të gjitha këto të dhëna janë ditur përtej dyshimit të arsyseshëm dhe të bazuar, se Radoiçiqi dhe të tjerët kanë qenë pjesë e ekzekutimit të këtyre krimeve?! Mendoj se përgjigja tani më u tha, sepse politikanët e kastave të kaluara kriminale, që sot janë në opozitë, dhe prap janë bashkuar duke krijuar një front kundër formimit të institucioneve më vitale të shtetit, jo vetëm që nuk i luftuan këta kriminel, por fatkeqësisht, ata bashkvepruan dhe bashkëpunuan me biznise të përbashkëta të pista, me drogë, prostitucion, kontrabandë korrrupsion dhe krim të organizuar.
Mirëpo me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, situata në veri të Kosovës, radikalisht u ndryshua, komunat dhe institucionet paralele të Serbisë u mbyllën, i përjashtoi bandat kriminale nga Kosova, për herë të parë pas çlirimit u vendos sovraniteti në veri të Kosovës, dhe mos t’i listoj të arriturat tjera…
Me Qeverinë Kurti 2, edhe përkundër faktit se Prokuroria dhe Gjyqësori janë të kapura nga Pronto mafia dhe bëjnë ende rezistencë, gjërat gradualisht kanë filluar të ndryshojnë”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.