Murati i përgjigjet Ramës: Me shpalljen e tenderit dhe nënshkrimin e kontratës pa i pasur fondet në buxhet ju e keni shkelur ligjin
Punimet në Sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet janë bërë shkas i përplasjeve mes pushtetit qendror dhe Komunës së Prishtinës. Ndërprerja e punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka acaruar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili po e konsideron antiligjor vendimin për ndalimin e punimeve.
Ndërkohë, sot ka reaguar edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka akuzuar kryetarin Rama se e ka nisur projektin pa pasur mjete buxhetore, duke thënë se një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërsa, Rama përmes një postimi në Facebook, i është kundërpërgjigjur Muratit duke e akuzuar për bllokim të buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025, duke pretenduar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët e Prishtinës.
“Hekuran, duke qenë se prapë iu paske bashkuar shokëve të partisë në aksionin për ‘bllokim’, ju lutem gjeni pak kohë të shikoni emailin që ju kemi dërguar, dy ditë më parë! Për herë të dytë, ta kemi dërguar kërkesën urgjente për alokimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025, të miratuar nga Asambleja e Kryeqytetit, e që ti vazhdon ta bllokosh”.
“Ti po rrezikon që qytetarët e Kryeqytetit të mbeten pa shërbime elementare ndaj tyre! Kryji punët e tua!”, ka shkruar Rama.
E menjëhershme ka qenë përgjigja e ministrit Murati, i cili ka thënë se njëra ndër punët e tij është edhe mbikqyrja dhe sigurimi që paraja publike shpenzohet sipas ligjit”.
“Me nënshkrimin e deklaratës së disponueshmërisë së fondeve, duke deklaruar se i keni të buxhetuara 18.4 milionë euro, kur në fakt keni pasur vetëm 10% të asaj vlere në buxhet, ju keni shkelur ligjin”, ka shkruar Murati
Ai gjithashtu ka thënë se “me shpalljen e tenderit, dhe pastaj me nënshkrimin e kontratës, pa i pasur fondet në buxhet, ju përsëri keni shkelur ligjin. Për 18 milionë euro”.
“Kurse sa u përket shkresave tuaja, besoj e keni marrë sqarimin tashmë disa herë nga stafi profesional i MFPT-së që buxheti i komunës mund të bëhet pjesë e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit 2025, tek pasi Kuvendi të ketë miratuar ndryshim plotësimin e ligjit”, ka shkruar Murati.
Ai ka thënë se kjo ka ndodhur “për shkak se ju jeni vonuar në miratim të buxhetit komunal sipas afateve ligjore. Këto tashmë i dini, dhe kot bëheni se nuk i dini e shkruani shkresa. Injoranca ndaj ligjit nuk amniston shkeljen e ligjit”