OPINIONTË FUNDIT

Dështimi i seancës së nëntë/ Tomë Gashi zbulon arsyet që opozita refuzoi votimin e fshehtë për kryeparlamentar!

Deputetët dështuan për të nëntën herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.

Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai thotë se partitë opozitare nuk duan të punojnë për shtet dhe se interesat personale janë ato primare për ata.

Gjithashtu ai cek se në këtë vazhdë të situatës atëhere nuk ka zgjidhje tjëtër përveç zgjedhjeve të reja.

“Nëse partitë opozitare nuk duan dhe pengojnë formimin e institucioneve të shtetit, për arsye që vetëm ato mund t’i dinë, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të reja, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i fitojë mbi 51% të votave.

Po shihet qartë që partitë opozitare nuk janë as afër reformimit dhe nuk punojnë për shtet, por vetëm për pushtet”, u shpreh ai.

Më tej, Gashi thotë përmes Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lejohet votimi i fshehtë mirëpo që opozita e tanishme dhe Lista Serbe janë si shpesh në koordinim për veprimet e tyre.

“Nuk i kuptoj këta të opozitës sonë që nuk e dinë, e as që e lexojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ku shkruan që lejohet votimi i fshehtë.

Sa i përket Listës Serbe, ata kuptohen lehtësisht, pasi haptas deklarojnë se nuk e pranojnë Republikën e Kosovës – megjithëse fatkeqësisht paguhen nga ajo, për të bojkotuar formimin e institucioneve të saj.

Por çudia më e madhe është se si qëndrimet për bojkot të shtetit po përputhen – pak si shpesh – ndërmjet opozitës dhe Listës Serbe”, përfundoi avokati Gashi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *