OPINIONTË FUNDIT

Si u shndërrua Shqipëria në shtetin e parë ateist duke i kthyer kishat e xhamitë në depo gruri?!

Menjëherë pas çlirimit nga pushtuesi fashist, në Shqipëri u vendos regjimi komunist, i cili bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Qeveria e drejtuar nga Enver Hoxha, në vitet e para të pasçlirimit u paraqit si qeveri me vizion, e cila kishte hartuar projekte për zhvillimin arsimor, kulturor, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në fillimet e tij shteti komunist, nuk u afirmua në publik si shtet ateist, por si shtet laik. Megjithatë kjo nuk do ta pengonte shtetin që të fillonte luftën për zhdukjen e feve, si ideologji kundërshtare. E zhvilluar në një shoqëri të mbyllur dhe me nivel të ulët kulturor, propaganda komuniste arriti të denigrojë klerikët dhe të cenojë integritetin e shërbesave fetare.

Regjimi komunist, duke parë rezultatet pozitive të masave që kishte marrë kundër besimeve e zakoneve fetare, arrinte në përfundimin që Komiteti Qendror dhe Partia e kishin studiuar mirë gjendjen shpirtërore të masave dhe parullën e luftës e kishin hedhur në momentin e duhur.

Edhe letra e 27 shkurtit, që Enver Hoxha kishte dërguar, kishte luajtur një rol ndihmues, sepse ai kishte dhënë orientime të rëndësishme për zhvillimin me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike.

Numri i faltoreve dhe i klerikëve të Komunitetit Mysliman sipas qarqeve, në 1965

Komuniteti Mysliman

QarkuFaltore Klerikë

Tiranë127140

Durrës7680

Shkodër118144

Kukës9094

Peshkopi165125

Elbasan150176

Korçë163168

Berat6170

Gjirokastër3742

Vlorë6570

Total10521109

Tarikatet nën varësinë e Komunitetit Mysliman

TarikatetFaltoreKlerikë

Halveti9068

Rufai3527

Kadiri3320

Sadi86

Tixhani75

Total173126

Në Shqipëri, ashtu siç duket edhe nga të dhënat, vetëm Komuniteti Mysliman bashkë me tarikatet, që ishin nën varësinë e tij, posedonte 1225 faltore dhe 1235 klerikë që shërbenin në këto faltore. Komuniteti bektashian posedonte 76 faltore dhe 150 klerikë, ndërsa pjesa tjetër rreth 944 faltore i përkisnin komunitetit katolik.

Gjatë viteve 1945-1966, këto objekte kulti u shkatërruan ose u morën ne dorëzim nga shteti. Në fillimin e vitit 1967, në Shqipëri ishin funksionale vetëm 7 xhami dhe një numër i vogël kishash, ndërsa pak muaj më vonë, në po këtë vit, ndodhi shkatërrimi i plotë i objekteve fetare dhe persekutimi i hoxhallarëve, priftërinjve dhe baballarëve.

Xhamitë e prishura ose të tjetërsuara

Xhamitë që kanë funksionuar, por që janë prishur ose janë tjetërsuar nga organizatat e masave për t’i kthyer në shtëpi kulture, depo etj., janë klasifikuar si vijon sipas rretheve dhe qyteteve:

Shkodër (qytet):

Xhamia “Ura Maxhar”: Lagja “Partizani”, të qytetit të Shkodrës ishte përvetësuar nga këshilli i lagjes, duke i marrë edhe inventarin fizik e, duke e kthyer në çerdhe. Xhamia në fjalë frekuentohej nga besimtarët e lagjes dhe kishte imam të rregullt. Ky veprim ishte bërë më 7.V.1966.

Xhamia e “Garucit”: Lagja “Kongresi i Përmetit”. Për këtë xhami, kryesia e Frontit të kësaj lagjeje, me shkresën e saj nr. (s’ka), datë 5.6.1966, njoftoi Myftininë e Shkodrës, se populli i lagjes në mbledhjen e tij kishte vendosur marrjen e xhamisë, për ta përdorur për terren sportiv për fëmijët.

Xhamia funksiononte në rregull, me imam të cilin e paguanin besimtarët e lagjes. Flitej se në qytetin e Shkodrës, do të përvetësoheshin Xhamia e “Kirasit” (për çerdhe) dhe e “Dudasit” (për shkollë).

Shkodër (rreth):

Xhamia e katundit Vrakë: Këshilli Popullor kërkonte ta kthente faltoren në çerdhe, duke u përpjekur që të pengonte kryerjen e veprimeve fetare (8.9.1965).

Xhamia e Shtoit: Këshilli Popullor kishte vënë dorë në xhaminë e këtij katundi, duke e transformuar xhaminë në çerdhe dhe duke i marrë imamit çelësat. Ky veprim ka ndodhur në Shtator 1965. Edhe disa të tjera u kthyen në depo, gjatë vitit 1964-1965.

Xhamia e katundit Kuç: E okupuar para dy vjetësh nga kooperativa bujqësore për depo. Xhamia në fjalë, nuk funksiononte rregullisht.

Elbasan (rreth):

Xhamia e katundit Xibrakë, lokaliteti Belsh, është shembur nga rinia më 14.5.1966. Kjo xhami funksiononte dhe kishte imam të rregullt.

Xhamia e katundit Muriqan, lokaliteti Cërrik, më 15.5.1966, është prishur nga organizata e rinisë. Xhamia funksiononte dhe kishte imam, të dekretuar nga Komuniteti Mysliman.

Xhamia e katundit Tërbaç, lokaliteti Kërrabë, ishte kthyer nga rinia në qendër kulture, duke i marrë çelësat imamit. Xhamia funksiononte me imam të rregullt. Xhamia është marrë nga rinia dhe është kyçur më 13.5.1966. Populli i katundit Tërbaç, është treguar i gatshëm për të bërë me punë vullnetare shtëpi kulture tjetër.

Xhamia e katundit Lleshan, lokaliteti Gjinaj, u prish nga Këshilli Popullor dhe rinia më 29.6.1965. Xhamia e katundit Shtepanj, lokaliteti Cërrik, u prish minarja 497 vjeçare, nga Këshilli Popullor dhe faltorja u kthye në shtëpi banimi për arsimtarët.

Xhamia e katundit Shënavlash, lokaliteti Cërrik, u prish nga kryetari i kooperativës. Minarja e saj dhe faltorja, u kthyen në dyqan bukësh. Ky veprim është bërë në vitin 1965.

Xhamia e katundit Selvijas (10.X.1965), u prish nga kryetari i Këshillit Popullor dhe sekretari i organizatës së rinisë së fshatit.

Xhamia katundit Shalës, lokaliteti Belsh, është prishur në korrik të 1965, nga lokaliteti përkatës. Po kështu edhe xhamia e katundit Rrasë, është kthyer në dyqan buke.

Xhamia e katundit Kajan, lokaliteti Kajan, është prishur nga kooperativa dhe lokaliteti (Korrik 1965).

Xhamia e katundit Dëshiran, lokaliteti Kajan dhe xhamia e katundit Dragot-Dumre, u prish nga lokaliteti dhe kooperativa.

Xhamia e Katundit Gostimë, lokaliteti Cërrik.

Xhamia e katundit Mollas, lokaliteti Mollas.

Xhamia e katundit Dragot-Sulovë.

Dhe Xhamia e Darëzës, janë shembur nga organet e pushtetit lokal vitin e kaluar.

Të gjitha xhamitë e sipërpërmendura, kanë funksionuar.

Korçë (rreth):

Xhamia e katundit Bozhigrad, lokaliteti Bilisht, u prish më dt. 18.4. 1965, nga kryetari i kooperativës bujqësore.

Xhamia e katundit Menkulas, lokaliteti Bilisht, u shemb nga organet e pushtetit të atij fshati, vitin e kaluar.

Tiranë (rreth):

Xhamia e lokalitetit Ndroq, u prish nga kooperativa bujqësore, e cila mori edhe materialin pa marrëveshje nga Komuniteti Mysliman. Ky veprim është bërë në Qershor 1966. Xhamia, para se të prishej, ka qenë depo. Memorie.al Nga Msc. Xhorxhina Seferi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *