OPINIONTË FUNDIT

LDK në buzë të shuarjes – thirrje nga një rugovist i përjetshëm

(Si 40-vjeçar i çështjes kombëtare, delegat i kuvendeve të LDK-së, ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ushtar i Presidentit Ibrahim Rugova me pushkë në dorë deri në çlirimin e vendit, oficer logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes së Ahmet Krasniqit)

Unë, Halil Geci, me një jetë të tërë të përkushtuar çështjes kombëtare dhe frymës rugoviste, ndjej obligim moral e kombëtar të reagoj ndaj shpifjeve të ulëta që më bëhen nga individë të paidentitet, të cilët, pa turp e pa fakte, më etiketojnë si mbështetës të Albin Kurtit, madje duke e quajtur Kurtin “spiuni rus”.

Këto propagandime janë të rreme, të pabaza dhe vetëm sa thellojnë krizën morale të diskursit publik. Ashtu siç nuk është e vërtetë që Kurti është spiun, po ashtu nuk është e vërtetë që unë jam pjesë e Vetëvendosjes.

Qëndrimi im është i qartë dhe i pandryshueshëm: këdo që punon për të mirën e këtij vendi – pa dallim partie – do ta mbështes me ndërgjegje të pastër. Mbështetja ime është e bazuar në vepra dhe në rezultate konkrete, jo në folklor, jo në shpifje, as në pazare të ulëta politike për poste apo kolltuqe.

Nuk pranoj që njerëzit e ulët të fshihen pas djathtizmit dhe ta përdorin atë si maskë për interesa të vogla personale. Në vend që të reagojnë kur i cenohet integriteti territorial i vendit, ata i mbyllin veshët, heshtin dhe merren me gjëra të kota – ndërkohë që para syve të tyre copëtohet atdheu.

Fshihen pas petkut të djathtizmit, por në anën tjetër mbështesin haptazi politikisht ata që kanë bërë pazare me tokën e Kosovës.

Ua mallkoj atë djathtizëm që e përdorni si mburojë për përfitime vetjake, ndërsa shkelni mbi gjakun e derdhur për këtë vend, për këtë tokë, për këta kufij!

“Shkrimet e mia janë si goditjet e një snajperisti, i vendosur në majë të një shkëmbi — të sakta, të drejtpërdrejta dhe pa kompromis. Në mbrojtje të vendit tim, nuk njoh as djalë, as vajzë, as mik, as kushëri.”

E deklaroj qartë dhe pa ekuivok:

As kam qenë, as jam dhe as do të jem ndonjëherë pjesë e Vetëvendosjes.

Kritikat që i kam drejtuar ndër vite LDK-së nuk kanë qenë përçarëse, por thirrje alarmi që kjo parti të mos shndërrohej në një vegël të tradhtisë, të mos bëhej peng i Hashim Thaçit dhe i strukturave të PDK-së, përmes Isa Mustafës dhe të korruptuarve brenda vetë saj.

I kam paralajmëruar që të mos binin në kurthin e ndikimeve nga Vuçiqi, Edi Rama, Richard Grenell, Baton Haxhiu e të tjerë, të cilët kanë shkatërruar LDK-në, e kanë deformuar dhe e kanë mbushur me njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me idealin rugovist.

Kjo LDK që e shohim sot, nuk është më ajo e Ibrahim Rugovës. Lumir Abdixhiku e ka shkëputur nga rrënjët, nga identiteti dhe e ka kthyer në një “rrugë të re”, që të çon vetëm drejt harresës e humbjes.

Për vite të tëra kam paralajmëruar se përjashtimi i figurave të pastra si Fatmir Sejdiu, Rexhep Gjergji, Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, vëllezërit Geci e shumë të tjerë, si dhe mbështetja e tradhtarëve, do ta rrënonte LDK-në.

Fatkeqësisht, kjo ndodhi. Dhe ja ku jemi:

• Kosova humbi tokë në favor të Maqedonisë dhe Malit të Zi;

• Veriu, bashkë me Trepçën dhe Ujmanin, iu fal Serbisë;

• U krijuan komuna me shumicë serbe, duke përfshirë fshatra shqiptarë dhe duke rrezikuar sovranitetin;

• Kishat shqiptare iu dorëzuan Serbisë, me status “ekstraterritor”;

• U ndërtua një “Zajednicë” me kompetenca ekzekutive, njësoj si “Republika Serbe” në Bosnje;

• Kufiri de facto u vendos te ura e Ibrit;

• U lejuan zgjedhjet dhe referendumi serb në Kosovë;

• Në veri u krijua shteti paralel me polici, gjykata, shkolla dhe shëndetësi të ndara;

• Shqiptarët nuk guxojnë të kalojnë urën, e lëre më të lëvizin lirshëm me targa të Kosovës.

Dhe në këtë pikë, Hashim Thaçi deklaronte me cinizëm:

“Fatkeqësisht, Kosova është ndarë.”

Këto zhvillime dramatike, bashkë me plaçkitjet miliardëshe dhe vrasjet që i janë bërë LDK-së dhe shtetit të Kosovës, më kanë detyruar të reagoj.

E kam bërë me gjithë dijen time, me gjithë mundësinë time, me gjithë të vërtetën që e kam ditur, edhe me të metat e mia.

Nuk kam heshtur. Nuk do të hesht kurrë.

Kjo ndodhi sepse LDK-ja nuk e dëgjoi as Rugovën, i cili kishte paralajmëruar se Hashim Thaçi duhej mbajtur larg pushtetit, bazuar në informacione të qarta nga aleatët ndërkombëtarë.

Sot, LDK është parti e tretë, pa identitet, e pushtuar nga matrapazë, servilë dhe oportunistë.

Unë, Halil Geci, deklaroj me plot ndërgjegje:

• Jam dhe mbetem një rugovist i përjetshëm;

• Nuk do t’i përkas kurrë asnjë strukture që bie ndesh me idealin e Rugovës dhe çështjen kombëtare shqiptare;

• Derisa LDK të jetë në duart e servilëve dhe tradhtarëve, nuk do ta ketë as mbështetjen time dhe as të rugovistëve të vërtetë.

Fëmijët e mi, miqtë e mi dhe bashkëveprimtarët e mi janë të lirë në bindjet e tyre politike, por me një kufi të qartë:

Kurrë me PDK-në dhe kurrë me shërbëtorët e tradhtisë!

U bëj thirrje të gjithë rugovistëve dhe qytetarëve të ndershëm:

Të bashkohemi për ta shpëtuar LDK-në!

Të mbrojmë Kosovën nga zhbërja dhe ndarja!

Të kthehemi në rrugën e Rugovës – në rrugën e shtetndërtimit, dinjitetit dhe sakrificës për komb!

Deri në këtë pikë, e përgëzoj Albin Kurtin dhe i uroj që të vazhdojë ta çojë përpara interesin e vendit. Unë do të jem gjithmonë mbështetës moral i tij dhe, nëse është e nevojshme, do të jem gjithashtu pranë tij për ta mbështetur.

Me respekt dhe përgjegjësi,

Halil Geci

Prishtinë, Prill 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *