OPINIONTË FUNDIT

Pse Kosova nuk mund të shpallë zgjedhje pa konstituim të Kuvendit?

Të martën pritet një tjetër tentim për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas disa dështimeve të njëpasnjëshme. Albulena Haxhiu, emri i vetëm i propozuar nga Vetëvendosje, as të dielën nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme, duke marrë vetëm 57 vota, të pamjaftueshme për postin e kryekuvendares.

Ndërkohë, janë shtuar zërat për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kërkesë që po vjen edhe nga vetë partitë politike.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka paralajmëruar zgjedhje.

“Kjo situatë nuk është që mund të shkojë në pafundësi. Po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, u shpreh Kusari-Lila.

Ndërsa, nga partia e dytë për nga madhësia, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja.

“E kemi shprehur qartë që nuk e votojmë Haxhiun. Çështja e zgjedhjeve nuk është çështje e dëshirës. Ato zgjedhje kanë prodhuar një rezultat. Qeveria që kaloi nuk e ka marr shumicën, nëse vazhdon kjo bllokadë më mirë të shkojmë në zgjedhje, kam propozuar edhe datën e mundshme. Nëse vërtetë LVV nuk dëshiron të dalë nga bllokada më mirë të shkojmë në zgjedhje. Mendoj që sikur të ishin të sinqertë dhe s’duan të ndryshojnë, mirë kish me qenë me u mbledh dhe me caktu datën e zgjedhjeve. PDK është e gatshme me diskutu për një datë”, ka thënë Krasniqi.

Por, a mund të ketë realisht zgjedhje dhe cilat janë procedurat që duhet ndjekur?

Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se pse nuk mund të shkohet në zgjedhje, duke u bazuar në situatën që gjendet vendi tani.

ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Kuvendi nuk mund të shpërbëhet për shkak se nuk është konstituar. Në këtë situatë, deputetët kanë dhënë betimin, mandati është individual, duhet deputetë në mënyrë individuale të deklarohen në KQZ se nuk e duan ushtrimin e mandatit”, ka deklaruar Burjani.

Ai ka treguar se cilat janë procedurat.

“KQZ aprovon, përderisa partitë deklarohen se nuk e dëshirojnë të bëjnë zëvendësimin me deputetë tjerë nga radhët e tyre, dhe procedura kalon tek presidentja. Presidentja i mbledh partitë politike dhe cakton një datë të re për zgjedhje të jashtëzakonshme”, është shprehur Burjani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *