OPINIONTË FUNDIT

Kuvendi në ‘krizë’, flet diplomati holandez: Kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë!

Në seancën e sotme, deputetët duhej t’i emëronin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituonin Kuvendin e Kosovës përfundimisht.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi që kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, përsëri nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Duket se, për momentin kemi një bllokadë institucionale, ku edhe pas afër 3 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, nuk është formuar ende qeveria e re.

Mirëpo, këto vonesa dukshëm e dëmtojnë Kosovën.

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli diplomati holandez, njëherësh ish-ambasador i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Së pari, ai tha se kjo situatë nuk lë përshtypje të mirë, por vetë rezultatet ishin një lloj “bllokimi”.

Po ashtu, Bosch nuk sheh interesim nga partitë për të bashkëpunuar në këtë pikë.

“Sigurisht që nuk lë përshtypje të mirë, por rezultatet e zgjedhjeve ishin de facto një bllokim. Duket se tani ka mungesë besimi pasi të gjithë duan ta shfrytëzojnë këtë situatë duke kërkuar tepër bashkëpunim”.

Ndër të tjera, diplomati holandez përmendi një fakt se edhe ne Holandë dhe Belgjikë ka vonesa në krijim të qeverisë, gjë e cila po ndodh tani edhe në Kosovë.

“Por në Holandë dhe veçanërisht në Belgjikë duhet më shumë se gjysmë viti pas përfundimit të zgjedhjeve, para se të formohet një qeveri, pasi gjithmonë duhet të bëjmë koalicione, gjë që tani është edhe rasti në Kosovë”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.

Kujtojmë se, Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse. Mirëpo, për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *