Kur votat mungojnë dhe vullneti i popullit nuk mjafton, kush po e mban peng konstituimin e Kuvendit?
Kur qytetarët dolën në zgjedhje më 9 shkurt, menduan se deputetët e zgjedhur do t’i përfaqësonin interesat publike dhe problemet esenciale me të cilat ballafaqohen në vazhdimësi.
Por, që nga shkurti e deri tani në prill, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë përfaqësuar asgjë tjetër, përpos interesave të tyre të ngushta personale e partiake.
Sot ( e diel 27 prill) u tentua për herë të shtatë konstituimi i Kuvendit, por gjithçka rezultoi me dështim.
Tash e shtatë herë, dyert e Kuvendit hapen e mbyllen pa sjellë asnjë rezultat për qytetarët.
Në gjithë këto herë, mezi u arrit edhe betimi i deputetëve. Një qytetarë i thjeshtë me të drejtë do të mendonte se ky akt u bë vetëm sa për sy e faqe, ose sa për t’i marr pagat jo pak të vogla, që i kanë të zgjedhurit.
Askujt s’po i bën përshtypje shtrenjtimi i energjisë elektrike apo edhe artikujve elementarë për jetën e përditshme të qytetarëve.
Kjo situatë lë të kuptohet se përfaqësimi nga partitë politike po shihet më shumë si lojë numrash sesa si përgjegjësi.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Por, e drejta për të propozuar nuk ia jep edhe fuqinë për ta votuar pasi LVV-së, i duhen edhe 4 vota për ta bërë Haxhiun krye-parlamentare.
Ky ngërç me 61 vota të domosdoshme është kthyer në një pengesë për funksionimin e Kuvendit.
Kemi partinë e parë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, që ani pse nuk i ka numrat për votimin e krye-parlamentares, nuk po tërhiqet assesi nga kandidatura e saj.
Në anën tjetër, përball saj janë partitë tjera që janë të vendosura kundër ish-ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Deri sot asnjëra palë nuk ka treguar gatishmëri për kompromis.
Kjo situatë tregon se palët politike janë më të interesuara për të ruajtur pozicionet e tyre, sesa për të garantuar një Kuvend funksional, që më pas do të sillte edhe një Qeveri funksionale. Në këto lojëra kalkulimesh politike, humbësi më i madh mbetet qytetari.
Pa një Kuvend të konstituuar, nuk ka as komisione parlamentare, as ligje të reja, as kontroll ndaj qeverisë. Po ashtu, ngecin edhe projektet reformuese dhe krizat sociale, ekonomike apo të sigurisë – trajtohen pa një zë të përbashkët institucional.
Për rrjedhojë, kjo nuk është më një çështje e thjeshtë numrash apo emrash. Është një krizë përfaqësimi dhe përgjegjësie. Deputetët duhet të kujtojnë se votat që i sollën aty nuk ishin për t’u mbërthyer në lojëra politike, por për të vepruar. Nëse nuk mund të arrijnë marrëveshje për aktin themelor pas zgjedhjeve, që është konstituimi i Kuvendit – atëherë qytetarët pyesin me të drejtë se a ia vlejti dalja në zgjedhje dhe kush po i përfaqëson ata.
Ky bllokim nuk tregon thjesht një përplasje mbi emrin e Albulena Haxhiut, por është simboli më i qartë i mungesës së dialogut politik në vend. Mbase, partitë politike më lehtë e kanë të bëjnë marrëveshje me Serbinë, sesa me njëra tjetrën për një çështje aq të thjeshtë siç është emri i kryeparlamentares. Dhe kjo, PO që është fatkeqësi!