Bëjeni vetë e mos lejoni që Kosovën ta bëjnë të tjerët për inatin
I madhi dhe personaliteti më unik i trojeve shqiptare në letra dhe në patriotizëm, Pater Gjergj Fishta, shkruante në periudhën e e viteve të para pas pavarësisë se “Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve”! Më vonë një shkodran e malësor tjetër i madh, Arshi Pipa, do të shkruante se “E dua Kosovën, sepse aty lindi Shqipëria”! Janë dy qasje të tipit eseistik dhe magjik si te ai vargu po fishtjan “Boll po shdrit ky diell e pak po nxeh”!
Këto dy postulate me domethënie të jashtëzakonshme, me kuptim e nënkuptime të lexueshme, duket se janë edhe sot aktuale. Sepse, siç thoshte ambasadorja amerikane, Jacobson, ne shqiptarët jemi vetë ata që “e dh.jmë punën”! I bëjmë m.tin gjithçkaje që nuk na intereson. E në rastin konkret, kur po bllokohet krijimi dhe ndërtimi i institucioneve në Kosovë, duket se as mazhorancës e as opozitës nuk ju intereson Kosova. Duan ta linçojnë atë. Ta lëshojnë në zgripin e luftës për pushtet. Të mendojnë se vetëm pushteti është i rëndësishëm, Kosova jo.
Në vend që të votoheshin mandatet, kandidatët e zgjedhjeve të 9 shkurtit u morën me dëshminë e forcës kundër njëri-tjetrit, pa e ditur se vota nuk ishte as për Kurtin, as për Memlin, Lumirin e Ramushin, por për të çertifikuar veten e tyre si deputetë. Gjashtë herë u refuzua votimi i Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Parlamentit. Kurti ka zgjedhur Fatmir Limajn si partner, edhe pse ai ka bërë fushatë kundër korrupsionit. Dmth zgjodhi kampionin e korrupsionit për të formuar qeverinë. PDK, LDK dhe Haradinaj përjashtojnë çdo mundësi për koalicion me Vetëvendosjen, edhe pse ajo ka legjitimitetin e plotë të drejtojë qeverinë dhe institucionet e reja.
Kosovën dhe interesin e saj e ka zëvendësuar interesi për pushtet, egoja për sundim, etja për fuqi e prestigj. Kjo është ajo që po shohim në këto javët e fundit. Kuvendi mblidhet çdo 48 orë, por rezultati është i njëjtë: – Institucionet nuk kanë nis të ndërtohen. E një Kosovë pa institucione nuk i intereson askujt përveçse armiqve të saj, kryesisht Serbisë, Dodikut dhe Vladimir Vladimiroviç Putinit. Dy njohjet që erdhën pas zgjedhjeve, ajo e Kenias dhe e Sudanit, do të duhej ta motivonnin klasën politike të rendte pas shtetësisë. Ndërkohë është e ditur se shtetësi pa institucione nuk ka e nuk mund të ketë. Por vendin e institucioneve dhe të shtetit po e ze pushteti, sundimi. Kësisoj po krijohen kushtet që Kosova të anatemohet, të denigrohet dhe pas kësaj të krijohet ideja se “Shqiptarët janë të paaftë të bëjnë shtet”!