Zëvendësi i Tahir Zemajt i kundërpërgjigjet Kudusi Lames/ Publikon letrën me kërcënime dhe tregon detajet e pathëna
Si jo rrallë herë, i ashtuquajturi gjeneral nga Shqipëria, Kudusi Lame, edhe njëherë ka vjellë vrerë e akuza ndaj kolonel, Tahir Zemajt dhe të gjithë ish eproreve dhe ushtarëve të FARK-ut.
Sipas Lames, Tahir Zemaj ka ikur nga rrafshi i Dukagjinit, pra thotë se nuk e ka përzënë askush.
“Kush ka dasht me shku në front, ka shku, nuk i ka pengu kerkush…Tahir Zemaj ka ikur nga rrafshi i Dukagjinit, nuk e ka përzënë njeri. Nuk e kam takuar kurrë Tahir Zemaj. Nuk ka qenë prezent në luftën e Koshares, nuk ishte aty”, tha Lama, sipas të cilit, oficerët e FARK-ut gjithë ditën “pinin birra e nuk shkonin me i stervitë ushtarët”, dhe se major Nazif Ramabaja asnjë ditë stërvitje nuk e ka bërë në Kolsh.
E në një prononcim për “Bota sot”, lidhur me deklaratat e Lames ka folur bashkëveprimtari dhe bashkëpunëtori i ngushtë njëherit kryeshef shtabi i ZORRD dhe ish zëvendësi i kolonel, Tahir Zemajt, major Nazif Ramabaja.
“Ne kemi mbrojtur institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes në qendrat për aftësimin e ushtarëve të rinj në Kolsh dhe Mamuras, nga sulmet e Kudusi Lamës dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke rrezikuar edhe jetët tona. Kudusi Lama vazhdon të propagandojë hapur prej 27 vitesh, duke e quajtur tërheqjen tonë “ikje”. Në asnjë mënyrë dhe në asnjë çast kjo nuk përputhet me të vërtetën apo me logjikën ushtarake. Pas tërheqjes nga Rrafshi i Dukagjinit të njësive operative të Brigadës 134, të komanduar nga kolonel Tahir Zemaj, dhe Brigadës 131, të udhëhequr nga unë, ne vazhduam në mënyrë të pandërprerë përgatitjet dhe planet për aftësimin e ushtarëve të rinj. Më të mirët prej tyre i dërgonim në frontin e Koshares. Mjafton të përmend vetëm dy prej dëshmorëve më të dalluar: Izet Beqiraj dhe Ali Ivaja, të cilët ishin dërguar nga qendra stërvitore e repartit në Kolsh dhe ishin përgatitur personalisht nga unë”, thotë Ramabaja