TË FUNDIT

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës realizojnë ushtrimin fushor “REAGIMI 2025”

Në vazhdën e ushtrimeve të rregullta dhe periodike, sot, më 24 prill 2025, në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, Sllatinë, është realizuar ushtrimi fushor “REAGIMI 2025”.

Sipas njoftimit nga Policia ky ushtrim, i organizuar nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe mbështetur nga departamentet tjera policore, kishte për qëllim testimin dhe ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme për menaxhimin e situatave ekstreme dhe reagimin në kushte të ndryshme emergjente.

‘’Ushtrimi u fokusua në përdorimin e burimeve njerëzore, logjistike e teknologjike, përfshirë të gjitha llojet e armatimit dhe municionit, duke përfshirë testimin e aftësive dhe koordinimin në kushte operacionale’’ thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se gjatë ushtrimit, u testuan edhe komponentët kyç të reagimit, si:

Ndërveprueshmëria dhe bashkëpunimi

Koordinimi

Komunikimi

Komanda dhe kontrolli

Pjesëmarrësit në këtë ushtrim, nga të gjitha nivelet e strukturave, treguan një nivel të lartë profesionalizmi dhe disipline, ashtu siç pritet nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

Ky ushtrim u përcoll nga afër nga drejtori i Përgjithshëm kolonel Gazmend Hoxha me stafin e lartë menaxhues, si dhe përfaqësues nga institucione vendore e ndërkombëtare.

Në përfundim të ushtrimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka ndarë mirënjohje për pjesëmarrësit, duke vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij aktiviteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *