TË FUNDIT

Mu kërkush nuk guxon me m’ndal as prej policisë as prej komandantëve” – Çfarë deklaroi shoku i Triumf Rizës?

Është ndër të parët që u paraqit në sallë.

Nga afër, Shefqet Riza, po i ndjek seancat për rastin e vrasjes së djalit të tij, policit, Triumf Riza.

Ndaj Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu, vazhdoi të premten gjyqi, për akuzën “vrasje e rëndë”.

Kësaj here dëshmoi ish polici, Blerim Shala, i cili tha se me Triumf Rizën kishin edhe raport shoqëror.

Nga ky raport, Shala thotë se Triumf Riza i kishte rrëfyer për rastet kur ai ishte përballur me Enver Sekiraqën.

“Pasi e ka ndalë Enverin, ai e ka nxjerrë një granatë dore edhe i ka kërcënu policët. Triumfi ka qenë me dy ndërkombëtarë. Pastaj i njëjti ka ikë nga vendi i ngjarjes,” tha dëshmitari Blerim Shala.

Dëshmitari hedh dyshime se ky rast ishte fshirë në Polici, ani pse ishte raportuar.

“Nuk figuron askund ai rast. Edhe pse raportet janë shkruar nga Triumfi dhe policët ndërkombëtar”, tha ai.

Shala para gjykatës, tha se kërcënimet për Triumfin nga grupi i Sekiraqës ishin bërë më intensive pas një rasti në një kazino.

“Deri në rastin e Swiss Casino, ku kanë mbetur dy persona. Kolegu i Triumfit, Arbeni dhe Agroni, prej grupi të Enverit. Pastaj prej aty, ka filluar më intensive përcjellja e Triumfit, kërcënimet e këto”, deklaroi dëshmitari.

Ai tregoi edhe për një kërcënim që e kishte marrë Triumfi nga Enver Sekiraqa.

“I ka thanë “mu kërkush nuk guxon me m’nalë prej policisë, as prej komandantëve. I ka thanë Triumfit”, tha Shala.

E gjithë kjo situtatë mes Triumf Rizës dhe Enver Sekiraqës, sipas dëshmitarit ishte mbështetur edhe nga dy të akuzuarit, Ilir dhe Rrahim Abdullahu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *