OPINIONTË FUNDIT

Sinjale pozitive: “Defender 2025” me rëndësi të madhe për Kosovën, ekspertët zbërthejnë mesazhet

Ditë më parë, Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se Kosova nga 26 maji deri më 06 qershor do të mirëpres ushtarakë nga 19 vende të botës në ushtrimin që drejtohet nga SHBA.

Kurti, ka thënë se edhe kësaj radhe, Kosova do të jetë ndër 18 vendet nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku marrin pjesë 25 mijë ushtarakë nga 29 vende aleate e partnere.

“Nga 26 maji e deri më 6 qershor, do t’i mirëpresim rreth 12 mijë ushtarakë nga 19 vende për ushtrimin e reagimit të menjëhershëm, një nga tre ushtrimet që do të zhvillohen në kuadër të Defender Europe 25”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Tutje ai ka thënë se “përveçse do të jemi nikoqir, risia është se këtë herë, në Aeroportin e Gjakovës, do të vendoset Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane, dhe nga aty, do të drejtohen të gjitha ushtrimet në rajonin e Ballkanit. Partneriteti dhe bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtje dhe siguri po thellohet e zgjerohet, dhe ky moment është padyshim dëshmi e kësaj”.

Përveç kësaj, së fundi, Gjeneral Major Stephen Osborn, gjeneral adjutant i Gardës Kombëtare të Ioëa-s, realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me udhëheqësit kryesorë të vendit dhe kadetët ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë vizitës së tij, MG Osborn diskutoi përgatitjet për rotacionin e ardhshëm të Qendrës së Trajnimit të Përbashkët të Gatishmërisë së FSK-së si dhe për pjesëmarrjen në stërvitjen ndërkombëtare Defender 2025, një ndër stërvitjet më të mëdha ushtarake në rajon.

Në lidhje me rëndësinë që ka “Defender 2025” për Kosovën, folën ekspertët e sigurisë, të cilët e mirëpriten mjaft mirë.

Një “mesazh i fuqishëm për Serbinë dhe aktorë të tjerë destabilizues”

Së pari, për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Si fillim, ai u shpreh se kjo pjesëmarrje ka rëndësi të shumëfishtë për Kosovën.

Në këtë rast përmendi vlerën strategjike që ka për shtetin tonë dhe faktin se si po konsiderohet si partner i besueshëm për Perëndimin.

ImageDrizan Shala
“Për sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në Defender 2025, ky është një zhvillim me rëndësi të shumëfishtë, si në aspektin gjeostrategjik, ashtu edhe në atë të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

1. Vlera strategjike dhe simbolike për Kosovën

Rritja e profilit ndërkombëtar: Të qenit nikoqire e një pjese të një stërvitjeje kaq të madhe nën drejtimin e SHBA-ve është një sinjal i qartë se Kosova po konsolidohet si partner i besueshëm i Perëndimit, në veçanti i NATO-s.

Legjitimim ndërkombëtar: Në një kohë kur Serbia vazhdon fushatën kundër njohjeve të Kosovës, pjesëmarrja në operacione të tilla shumëkombëshe i jep Kosovës *një formë praktike të njohjes dhe integrimit de facto* në arkitekturën perëndimore të sigurisë”, shpjegoi ai.

Gjithashtu, Shala përmendi edhe përfitimet që do ketë ushtria jonë nga këto stërvitje të standardeve botërore, të cilat i konsideroi si të rralla.

“2. Përfitime për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK)

Modernizimi operacional: Trajnimet në kuadër të Defender 2025 do t’i mundësojnë FSK-së të ushtrojë operacione të përbashkëta me forcat e NATO-s, sipas standardeve të interoperabilitetit.

Ushtrime në terren real: Këto janë raste të rralla për të testuar kapacitetet taktike dhe logjistike në simulime reale, duke përmirësuar reaktivitetin dhe profesionalizimin e FSK-së.

Ndërveprim dhe bashkëpunim: Kontakti i drejtpërdrejtë me forcat nga 29 vende të tjera aleate dhe partnere do të ndihmojë në krijimin e marrëdhënieve bilaterale dhe shumëpalëshe të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të ushtrisë së Kosovës”.

Ndër të tjera, eksperti potencoi se prania e SHBA dhe aleanca me Kosovën është një mesazh i fuqishëm për shtetin serb dhe ata që synojnë destabilizimin.

“3. Ndikimi në sigurinë kombëtare dhe rajonale

Pengim ndaj aktorëve kërcënues:

Prania e SHBA-ve dhe e aleatëve në tokën kosovare është një *mesazh i fuqishëm për Serbinë dhe aktorë të tjerë destabilizues*, përfshirë ndikimin rus përmes kanaleve hibride në rajon.

Pozicionimi si faktor stabiliteti:

Kosova po pozicionohet jo vetëm si përfitues i sigurisë, por si kontribues në stabilitetin rajonal, veçanërisht në një kohë kur Ballkani është nën presionet e rikthimit të ndikimit gjeopolitik lindor”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Hoxha: Ky ushtrim ka peshë të veçantë në politikën globale të sigurisë

Kurse, ish-ushtaraku, Hafir Hoxha u shpreh se kjo stërvitje ka një domethënie të madhe për Kosovën dhe është e një rëndësie të veçante.

Po ashtu, ai bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se ky është edhe nëj mesazh interesant për Serbinë dhe Rusinë.

ImageHafir Hoxha
“Ky ushtrim ka peshë të veçantë në politikën globale të sigurisë dhe pozita gjeopolitike e Kosovës dëshmon edhe kësaj radhe rëndësinë e saj që ka në rajon. Kjo, po ashtu tregon ose dëshmon arsyet pse pavarësia e Kosovës dhe pranimi i saj në OKB është çështje e ndërlikuar, prandaj dhe zvarritet kështu.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Macedonci, ka lajmëruar më herët se Kosova do të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në “Defender Europe 2025”, pasi jo vetëm do të jetë nikoqire, por edhe qendra e komandës ushtarake amerikane për Ballkanin Perëndimor.

Për Kosovën dhe FSK-në, kjo stërvitje e madhe ushtarake do të ketë një rol të zgjeruar, duke përfshirë pjesëmarrjen me njësitë ushtarake, si dhe do të jetë nikoqire e një komande të lartë ushtarake amerikane, raporton e qe me siguri ka nje mesazh interesant për Serbinë dhe Rusinë sa i përket regjionit të Evropës jug-lindore, ku jemi ne shqiptarët!” – nënvizoi ish-ushtaraku.

Po ashtu, Hoxha përmendi faktin se si Kosova u largua nga “Defender 2023” e që sipas tij, koha dëshmoi që ky vendim ishte i gabuar.

“Kosova, FSK në këtë rast do të angazhohet edhe më shumë se në Defender Europe 23. Ku Kosova ishte larguar nga pjesëmarrja e saj si masë ndëshkuese e disa veprimeve politike atë kohë, por si duket tani me vetë faktin për rolin që do të ketë Kosova në Defender Europe 25, po nënkuptohet se nuk ka pas nevojë Kosova të largohet, pasi edhe vendimet politike për të cilat ishte larguar nga ushtrimi, po kuptohen që nuk kanë qenë të gabuara atë kohë! Kosova nuk do të jetë vetëm vend pritës dhe pjesëmarrëse me njësi ushtarake, por edhe lokacioni i komandës së lartë ushtarake amerikane, nga ku do të kryhen të gjitha trajnimet në Ballkanin Perëndimor, që unë dëshiroj të them në Evropen juge-lindore, pasi me duket më e saktë dhe më logjike kjo shprehje.

Pra, “Ballkanin Perëndimor” nuk e preferoj si term politik për ne!.

Në fund, ish-ushtaraku shtoi se pjesëmarrja në këto ushtrime tregon pozitën dhe rolin gjeopolitik të Kosovës, e që shpreson që edhe shteti serb ta marr mesazhin sa ma shpejtë dhe ta pranojë realitetin, ta pranojë Kosovën.

“Me Defender 2025, do të jetë hera e parë që një komandë e tillë ushtarake do të vendoset në Kosovë, gjë që do ta bëjë atë një qendër strategjike për operacionet “Defender Europe 2025”.

Kjo tregon vlerën dhe rolin që ka pozita e Kosovës në planet gjeopolitike, ku përveç favoreve që ka duhet të themi që me to ka edhe rreziqet.

Serbia për këtë ushtrim me siguri e kupton mesazhin që ka dhe po të kishte kuptuar Serbia realitetin dhe ndryshimet që kanë ndodh këtu mes nesh më së miri për të dhe tërë rajonin do te ishte të pranojnë realitetin politik dhe gjeopolitike, ta pranojnë Kosoven, të bëhen pjesë e BE dhe NATO-s Serbia e rajoni, dhe të zhvillohet jeta këtu e qetë dhe pa zhurmën e armëve dhe gjuhën, politikën te dhunshme, nxitëse, të urrejtjes dhe mosdurimit që zhvillon Serbia në këtë rajon e që mbështetje destruktive ka nga Rusia”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *