Fushata e shantazhit ndaj Albulena Haxhiut, Alimi: Kur ofendimi bëhet mjet i politikës së vjetër
Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë të një fushate të egër linçimi ndaj një gruaje të përkushtuar në politikë – Albulena Haxhiut. Opinionistë të ndryshëm në televizione e portale, duke tejkaluar çdo standard etik e profesional, po përdorin fyerje të rënda e gjuhë të urrejtjes për ta njollosur figurën e saj publike. Termat e përdorur ndaj saj nuk janë kritika politike, por ofendime të ulëta që synojnë poshtërimin personal dhe dekurajimin e vajzave që synojnë përfaqësim politik në të ardhmen.
Reagoi edhe Alim Rama, Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se sulmet ndaj Haxhiut janë një sinjal alarmi për të gjitha gratë në politikë dhe një test për shoqërinë që nuk duhet ta shuajë zërin me indiferencë.
““Fundrrinë politike”, “terroriste politike”, “specie e përçudnuar”, “përçarëse”, “konfliktuoze”, “belagjike”, “vegël”, janë disa prej ofendimeve të ulta me të cilat opinionistët në televizone e portale po shajnë me mllef të papërmbajtur deputeten Albulena Haxhiu.
Ajo është deputetja më e votuar me mbi 125 mijë vota në këtë legjislaturë të nëntë e cila është në prag të konstituimit. Albulena është kryetare e organizatës së gruas në Lëvizjen tonë (GVV) dhe për një dekadë të plotë deputete e Kuvendit të Republikës.
Sulmet ndaj saj janë dekurajuese për vajzat dhe gratë që duan të angazhohen në politikë.
Nëse gazetarinë po e mbysin opinionistët, shoqërinë civile nuk bën ta shuaj indiferenca.”