Haradinaj e quan “teprim” reagimin e Bogujevcit: Unë s’bëra propozime, por vetëm dhashë emra që më lehtë i votojmë për kryekuvendar
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për reagimin e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, meqë Haradinaj ka thënë se AAK ka votë për kryetar të Kuvendit, nëse Vetëvendosje e propozon atë ose Shqipe Selimin.
Haradinaj ka thënë për T7 reagimi i Bogujevcit i është dukur i tepruar dhe ka thënë se AAK s’ka propozuar kandidat, por meqë VV ka kërkuar marrëveshje politike, ka përmendur dy emra të cilët AAK s’e ka problem që t’i votojë.
Kreu i AAK-së ka thënë se nëse do të ishte propozim që e bën partia e tij, do të propozonte deputeten Time Kadriaj.
“Reagim i tepruar mu duk. Na nuk e kem propozuar. Me qenë propozim i imi, shkon Timja, por meqë VV po kërkon marrëveshje politike, po lypë votë prej opozitës, ne po i themi në rregull dhe kërkojmë dikë që e kemi më të lehtë me e votue. Për Sarandën s’e kam problem me ia qitë votën, kuptohet edhe për Shqipen”, ka thënë Haradinaj.
Deputetja e VV’së, Saranda Bogujevci, ka reaguar dje pasi emri i saj u përmend nga AAK që nëse do të propozohej nga partia e saj si kryetare e Kuvendit do ta mbështesnin.
Bogujevci tha se ky propozim erdhi nga “ata që nuk e kanë të drejtën me propozu”.
Ajo tha se është “interesant” se si nga dikush që e përshkruan si “amatere” tash është personi i preferuar për pozitën e kryeparlamentares”.
“Është interesant ku dojnë me dërgu debatin dhe diskursin publik, duke u mundu me kriju një narrativë tek populli për veprimet e tona politike. Propozim nga ata që nuk e kanë të drejtën për me propozu, tek ata që dojnë me determinu rrjedhën e politikës tane, ama për vete mos me ju perzi kërkush e deri tek studiot televizive ku nuk lanë gjë të zezë pa thane deri dje, përfshi edhe kur thonin se si une jam amatere dhe nuk jam e denjë për me udhëheqë seancë e tash qenkam personi i preferuar për pozitën e kryetares së Kuvendit. Shumë interesant”, shkruan Bogujevci në Facebook.