Bllokada e Kuvendit/ “Zbulon” analisti: Problemi nuk është te Albulena Haxhiu, por te…
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të katërt.
As kësaj të hëne nuk u hodh në votim kandidatura për kryetar Kuvendi, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për kandidaturën e saj, Albulena Haxhiu, ndërsa opozita vazhdon ta kundërshtojë këtë emërim.
Derisa nga ana tjetër, Glauk Konjufca ka kërkuar “kohë shtesë”.
“Meqenëse e kemi pa që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin vendimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje”.
Analisti Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se përplasja rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nuk lidhet aq me emrin e kandidatit, sa me përkatësinë e tij politike.
Ai thotë se, problemi kryesor për opozitën duket të jetë Vetëvendosje si parti, jo domosdoshmërisht Albulena Haxhiu.
“Mendoj se problemi nuk është te personi, por statusi partiak i personit. Në këtë rast, problemi për ta është Vetëvendosje e jo znj. Albulena Haxhiu apo kushdo tjetër që do të ishte nga Vetëvendosje. Të gjitha partitë politike duhet të pajtohen me realitetin që kanë prodhuar zgjedhjet nacionale – populli ka gjykuar çdo parti politike. Por, disa nga partitë politike po sillen sikur fituese, ndonëse votuesi i ka pozicionuar secilën në përqindjen faktike.
Tutje, ai thotë se, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtë ekskluzive partisë fituese për të propozuar kandidatin për kryetar.
Ahmeti sugjeron se në vend të bllokadave, partitë politike duhet të pranojnë rezultatin zgjedhor dhe të reflektojnë mbi veten përmes kritikave të brendshme, për të ndërtuar besim dhe legjitimitet për të ardhmen.
“Rrjedhimisht, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i jep ekskluzivisht partisë së parë të drejtën për të propozuar kandidatin për kryekuvendar – këtë e dinë të gjitha partitë politike. Partitë politike duhet të zhveshen nga inatet e tyre dhe të kalojnë këto “sfida”, sepse me këtë logjikë po dëmtojnë interesin e shtetit.
Disa nga partitë politike duhet të merren më shumë me veten, sepse rezultati nuk u jep komoditet të merren me lojëra të ulëta. Refleksioni ndaj vetes dhe kritikat konstruktive do t’i konsolidonin, dhe potencialisht do t’i fuqizonin që në një të ardhme edhe të qeverisin me vendin, me besimin që do ta marrin nga populli” – përfundon ai për gazetën.