Nika drejt Shtëpisë së Bardhë: 28 Nëntori do të festohet në zemër të Amerikës!
Naser Nika, kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, është një nga figurat më të angazhuara dhe të respektuara të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Nika ka folur për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të shqiptarëve në SHBA, si dhe për iniciativën e tij më të fundit: organizimin e festimeve të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, në ambientet e Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C. Një nismë kjo që ka ngjallur entuziazëm dhe mbështetje të gjerë në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Gjatë intervistës, ai ndau gjithashtu historinë e tij personale, një rrugëtim i mbushur me përkushtim dhe sfida drejt realizimit të ëndrrës amerikane, si dhe theksoi kontributin e vazhdueshëm të shqiptarëve të Amerikës për vendlindjen, përmes ndihmës humanitare, mbështetjes kulturore dhe pjesëmarrjes aktive në çështje kombëtare.
“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike të shqiptarëve në trojet amtare, veçanërisht në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës?
Naser Nika: Situata politike e shqiptarëve në trojet amtare mbetet komplekse dhe sfiduese. Në Kosovë, përballja me sfida ndërkombëtare dhe presione të jashtme kërkon unitet të brendshëm, i cili shpesh mungon. Në Shqipëri, ndarja mes interesave partiake ka lënë pas dore interesin kombëtar. Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët kanë bërë përparim institucional, por ende përballen me pabarazi reale. Në Mal të Zi, shqiptarët po diskriminohen haptazi, ndërsa në Luginën e Preshevës vazhdon një margjinalizim sistematik. Mungesa e një platforme gjithëkombëtare për bashkërendim është boshllëku më i madh.
“Bota sot”: Si e përshkruani rrugëtimin tuaj nga Ulqini në Neë York dhe çfarë ju motivoi të angazhoheni në çështjet shqiptare në diasporë?
Naser Nika: Rrugëtimi im nga Ulqini në Neë York ka qenë i mbushur me sakrifica dhe përkushtim. Emigrimi nuk ishte vetëm për një jetë më të mirë personale, por edhe një hap për të pasur zë më të fortë në përfaqësimin e çështjes shqiptare. Pabarazitë që i kam parë ndaj shqiptarëve në trojet tona më kanë dhënë forcë që të mos hesht, por të angazhohem. Motivimi im ka qenë dashuria për kombin dhe dëshira për t’i dhënë diasporës rolin që i takon.
“Bota sot”: Si lindi ideja për emërtimin e një rruge në Staten Island me emrin e Ismail Qemalit dhe cilat ishin sfidat që hasët gjatë këtij procesi?
Naser Nika: Ideja lindi nga bindja se heronjtë tanë kombëtarë meritojnë të nderohen edhe në tokën ku jeton diaspora. Ismail Qemali është figura që simbolizon pavarësinë e shqiptarëve. Sfida më e madhe ishte procedura burokratike dhe sigurimi i mbështetjes nga autoritetet lokale, por me angazhim të vazhdueshëm dhe përkrahjen e komunitetit, ia dolëm ta bëjmë realitet më 3 qershor 2023.
“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për rolin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve me trojet amtare dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar këtë bashkëpunim?
Naser Nika: Diaspora është një pasuri kombëtare që shpesh është keqmenaxhuar. Ajo ka kapacitete të jashtëzakonshme njerëzore, ekonomike dhe politike. Lidhjet me trojet mund të përforcohen përmes bashkëpunimeve konkrete, platformave të përbashkëta dhe përfaqësimit institucional të diasporës në shtetet amë. Ne nuk duam vetëm të dërgojmë para – duam të kemi ndikim.
“Bota sot”: Si e vlerësoni angazhimin e institucioneve shqiptare në mbështetjen e iniciativave të diasporës dhe cilat përmirësime do të sugjeronit?
Naser Nika: Fatkeqësisht, angazhimi i institucioneve ka qenë më shumë simbolik sesa praktik. Diaspora trajtohet shpesh si mjet për marketing patriotik dhe jo si partner i barabartë. Duhet ndërtuar një qasje strategjike ku mbështetja ndaj diasporës të mos varet nga lidhjet politike, por nga projektet dhe ndikimi i tyre real.