E dhimbshme!”- Publikimi i fotove të autopsisë së Robert Kennedy ndan familjen e tij! Vajza kundër, djali pro
Publikimi i materialeve fotografike nga autopsia e Bobby Kennedy, dekada pas vrasjes së tij më 5 qershor 1968 në Los Anxhelos, shkaktoi një debat të fortë mes dy prej fëmijëve të tij, përfshirë dhe ministrin e Shëndetësisë në administratën e presidentit Donald Trump, Robert Kennedy Jr.
Dokumente të deklasifikuara për vrasjen e Robert Kennedy, i njohur ndryshe si Bobby, vëllai i presidentit John F. Kennedy, i cili gjithashtu u vra disa vite më parë, në vitin 1963, u publikuan të premten me nismën e presidentit Trump, i cili nënshkroi një urdhër ekzekutiv për këtë sapo u rikthye në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Megjithatë, një nga vajzat e Bobby Kennedy-t, Kerry, foli për “dhimbjen e madhe” që përjetoi pas publikimit të fotove të autopsisë që përfshiheshin në dosjet e bëra publike.
Ajo shroi në platformën X se kujtimi i të atit “do të bëhet edhe më i dhimbshëm në një mënyrë të re dhe të paimagjinueshme”.
“Nuk do ta shohim më ashtu siç e mbajmë mend. Do të përballemi me këto foto makabre, të drejtpërdrejta të trupit të copëtuar të tij nga autopsia”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, vëllai i saj Robert Kennedy Jr., ministër i Shëndetësisë në qeverinë Trump, e mbështeti publikimin e materialit.
“Interesi publik për transparencë të plotë është më i rëndësishëm se interesi i familjes sonë”, deklaroi ai për gazetën Washington Post.
Ai pranoi megjithatë se ishte përballur me një “zgjedhje të vështirë” kur Donald Trump e pyeti nëse duhej të bëheshin publike edhe fotot e autopsisë.
Ai përsëriti për gazetën se nuk beson në versionin zyrtar të ngjarjes që thotë se vrasja e babait të tij u krye me një armë kalibri 22 nga Sirhan Sirhan, një emigrant palestinezo-jordanian, i cili vazhdon të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në moshën 81-vjeçare.
Kennedy pranoi se nuk priste që dokumentet e publikuara të përmbanin prova që do të vërtetonin teorinë e tij se CIA kishte lidhje me vrasjen e babait të tij.
Drejtoresha e Zyrës së Koordinimit të Shërbimeve Inteligjente të SHBA-së, Tulsi Gabbard, e cila kishte detyrën për të publikuar dokumentet, justifikoi këtë veprim duke u shprehur se është e nevojshme të “hidhet dritë përfundimisht” mbi çështjen e vrasjes së senatorit, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e vëllait të tij, dhe një nga kandidatët kryesorë për të marrë nominimin presidencial të Partisë Demokratike.
Në 10.000 faqet e dokumenteve të publikuara të premten do të shtohen edhe 50.000 të tjera që janë gjetur në “depo të FBI-së dhe CIA-s”, shtoi ajo.
Dokumentet më të fundit të deklasifikuara për vrasjen e ish-presidentit Kennedy u publikuan në mars. Po pritet gjithashtu që të bëhen publike dhe dokumentet për vrasjen e Martin Luther King-ut në vitin 1968, figurë kryesore e lëvizjes për të drejtat civile në SHBA.