Donika Gërvalla shkarkon Shkëlqim Devollin nga pozita e Konsullit të Nderit të Kosovës, shkak mohimi i Republikës
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, ka njoftuar sot për përfundimin e mandatit të Shkelqim Devollit si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, për rrethin konsullor të Rozhajës.
Vendimi, sipas ministres, ka ardhur menjëherë pasi ajo është informuar për rastin dhe është i pakthyeshëm.
Në një postim të ashpër në rrjetet sociale, Gërvalla theksoi se ky veprim synon mbrojtjen e dinjitetit të Republikës së Kosovës nga çdo përpjekje për mohimin e saj.
Ajo u shpreh se individët që mbajnë tituj nderi me dokumente që mohojnë Republikën e Kosovës, “mohojnë gjakun e derdhur për liri, mohojnë ekzistencën tonë”
Njoftimi i plotë
Zero tolerancë ndaj mohuesve të Republikës së Kosovës. Asnjëherë “Peć, Serbia” por Pejë, Republika e Kosovës.
Dje ka marrë fund mandati i z. Shkelqim Devolli si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës. Ky vendim i marrë në momentin që jam informuar për këtë rast është i pakthyeshëm. Qëllimi është i qartë, mbrojtja e dinjitetit të Republikës së Kosovës nga çdo përpjekje për mohimin e saj.
Individët që marrin tituj nderi me dokumente ku mohohet Republika e Kosovës, mohojnë gjakun e derdhur për liri, mohojnë ekzistencën tonë, mohojnë Republikën tonë.
Po flasim për të njëjtët që, ndërsa përfitojnë nga Kosova, regjistrojnë biznese me adresa serbe, përhapin propagandë kundër udhëheqjes shtetërore dhe investojnë miliona për të njollosur imazhin e Kosovës në opinionin publik.
Ky vendim është më shumë se një akt administrativ, është një betim institucional që Kosova nuk do të përfaqësohet kurrë nga ata që i shërbejnë narrativave të shteteve që nuk e njohin pavarësinë tonë.
Kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës, nuk mund të jetë përfaqësues i Kosovës. Kushdo që lëkund të vërtetën tonë shtetërore, do ta gjejë Republikën tonë të vendosur dhe të përgatitur ndaj veprimeve të tyre.