BOTATË FUNDIT

Ministri izraelit: Trupat tona mbesin në Gazë, Liban e Siri për kohë të pacaktuar

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë të mërkurën se trupat ushtarake izraelite do të vazhdojnë të qëndrojnë në të ashtuquajturat zona të sigurisë në Rripin e Gazës, Liban e Siri për një kohë të pacaktuar. E këto deklarata po vlerësohen se mund të komplikojnë më tutje bisedimet me grupin militant palestinez, Hamas, rreth një armëpushimi të ri dhe lirimit të pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, sulmet izraelite në Gazë kanë lënë të vdekur 22 persona, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë. Forcat e Izraelit kanë vendosur nën kontroll më shumë se gjysmën e Gazës gjatë fushës së re ushtarake që ka për qëllim t’i bëjë presion Hamasit deri në lirimin e pengjeve, raporton AP.

“Për dallim nga e kaluara, ushtria e Izraelit nuk po evakuohet nga zonat që janë pastruar dhe pushtuar. Ushtria do të vazhdojë të qëndrojë në zonat e sigurisë si një tampon midis armikut dhe komuniteteve (izraelite) në çdo situatë të përkohshme apo të përhershme në Gaza, Liban dhe Siri”, ka njoftuar Katz.

Izraeli gjithashtu ka refuzuar të tërhiqet nga disa zona të Libanit pavarësisht armëpushimit të arritur me grupin militant libanez, Hezbollah vitin e kaluar, si dhe ka marrë nën kontroll një zonë neutrale në Sirinë jugore gjatë kohës sa rebelët e rrëzuan regjimin e Bashar al-Assadit dhjetorin e vitit të kaluar.

Popullata palestineze dhe shtetet fqinje e shohin praninë e trupave izraelite si okupim ushtarak, që sipas tyre përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *