OPINIONTË FUNDIT

“Ana e keqe e demokracisë…”, Driton Tali flet për lojëra politike

Sot pritej të bëhej konstituimi i Kuvendit të Kosovës, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Seanca konstituive e Kuvendit dështoi, kjo për shkak se deputetët e partive opozitare dhe deputetët e partive të komuniteteve jo shumica nuk votuan pro raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Analisti Driton Tali në një prononcim për “Bota sot”, thotë se bllokada në Kuvend është manovër partiake për interesa të ngushta.

Ai e quan këtë “anën e hidhur të demokracisë” dhe thekson se Kosova po kalon një fazë të pjekurisë politike.

Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve ndoshta do ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

“Këto janë manovrimet partiake ku partitë kuvendore po mundohen ta imponojnë axhendën dhe interesin e tyre.

Tashmë jemi mësuar me këto “lojëra politike”.

Kështu ishte edhe në të kaluarën dhe fundja është pjesë e demokracisë ndonëse me shije të hidhur. Pra ajo ana e keqe e demokracisë. Mbase edhe ne, sikur edhe shumë shtete tjera, detyrimisht duhet ta kalojmë këtë fazë të pjekurisë politike.

Sidoqoftë, ky rezultati i dalur nga zgjedhjet e fundit siç po duket do ta dërgojë vendin në zgjedhje përsëri”, thotë ai.

Më tej, Tali thotë se situata aktuale nuk duhet parë si tragjike, por si mësim politik.

Sipas tij, shpresat për një koalicion të zgjeruar kanë rënë dhe kjo mundësi duket se është shuar plotësisht.

“Këtë nuk duhet marrë tragjike por si një mësim. Sepse shumë shtete demokratike kane kaluar bile edhe nëpër kriza më të mëdha.

Ta zëmë Italisë për shkak të mospajtimeve partiake, disa herë ju dashtë që brenda vitit t’i ndërrojnë nga dy qeveri, e mos të flasim per shtetet tjera sa herë u detyruan që brenda vitit të mbajnë zgjedhje, për arsye të ndryshme.

Unë, t’iu them të drejtën, pata shpresuar që, për shkak të rrethanave globale, do ta kemi një koalicion të zgjeruar por mundësia e krijimit të atij koalicioni nuk po shihet në horizont. Bile sikur tashti edhe ajo mundësi është zhbërë tërësisht”, përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *