Hungaria ia ndalon mbajtjen e ngjarjeve publike komunitetit LGBTI+
Parlamenti i Hungarisë të hënën miratoi ndryshimet kushtetuese që ia lejojnë qeverisë të ndalojë ngjarjet publike të organizuara nga komunitetet LGBTI+ (lesbike, gei, biseksual, transgjinor, ndërgjinor, e të tjerë).
Studiuesit ligjorë dhe kritikët e quajnë këtë vendim një hap tjetër drejt autoritarizmit nga qeveria populiste e Hungarisë.
Ndryshimi, i cili kërkonte një shumicë prej dy të tretash, u miratua me 140 vota për dhe 21 kundër. Ai u propozua nga koalicioni qeverisës i udhëhequr nga kryeministri populist Viktor Orbán.
Përpara votimit, politikanët e opozitës dhe protestues të tjerë tentuan ta bllokonin hyrjen në parkingun e parlamentit. Policia largoi fizikisht demonstruesit, të cilët kishin lidhur veten me njëri-tjetrin.
Ndryshimi deklaron se të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror kanë përparësi ndaj çdo të drejte tjetër përveç të drejtës për jetën, duke përfshirë edhe atë për t’u tubuar në mënyrë paqësore. Legjislacioni i diskutueshëm për “mbrojtjen e fëmijëve” ndalon “përshkrimin ose promovimin” e homoseksualitetit për të miturit nën moshën 18 vjeç.
Ndryshimi e kthen në kushtetutë një ligj të miratuar me procedurë të përshpejtuar në mars që ndalon ngjarjet publike të mbajtura nga komunitetet LGBTI+, përfshirë ngjarjen e njohur si Parada e Krenarisë, që mbledh në Budapest mijëra pjesëmarrës çdo vit.
Ligji gjithashtu lejon autoritetet të përdorin teknologji për njohjen e fytyrës për të identifikuar personat që marrin pjesë në ngjarje të ndaluara, si Parada e Krenarisë.
David Bedo, një deputet i partisë opozitare Momentum që mori pjesë në përpjekjen për bllokadë, tha para votimit se Orban dhe Fidesz për 15 vitet e fundit “kanë shkatërruar demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe në dy apo tre muajt e fundit, ne po shohim se ky proces është përshpejtuar.”
Ai tha se, ndërsa po afrohen zgjedhjet e vitit 2026 dhe partia e Orbanit po ngec në sondazhe përballë një sfiduesi të ri të popullarizuar nga opozita, “ata do të bëjnë gjithçka që munden për të qëndruar në pushtet”.
Deputetët e opozitës tentuan të ndërprejnë votimin, që vazhdoi pas pak momentesh.
Qeveria e Hungarisë ka bërë fushatë kundër komunitetit LGBTI+ vitet e fundit dhe argumenton se politikat e saj për “mbrojtjen e fëmijëve”, që ndalojnë qasjen për të miturit ndaj çdo materiali që përmend homoseksualitetin, janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga ajo që e quan “çmenduri gjinore.”
Kritikët thonë se masat bëjnë pak për të mbrojtur fëmijët dhe po përdoren për të larguar vëmendjen nga problemet më serioze me të cilat përballet vendi dhe për të mobilizuar bazën e mbështetësve më ekstremistë të Orbanit përpara zgjedhjeve.
Ndryshimi i ri gjithashtu thotë se kushtetuta njeh dy gjini, mashkull dhe femër, duke zgjeruar kështu një ndryshim të mëparshëm që ndalonte birësimin nga ciftet e gjinistë së njëjtë duke deklaruar se një nënë është grua dhe një baba është burrë.