Haradinaj: Pa LVV-në s’do të ketë president të ri – Vjosa Osmani s’po kalkulon për fatin e saj politik
Opinionistja Meliza Haradinaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike rreth çështjes së presidentit të vendit, duke e vënë theksin te roli i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Haradinajt, aktualisht balanca e forcave politike në Kuvendin e Kosovës tregon se pa përfshirjen e Vetëvendosjes, nuk mund të zgjidhet një president i ri.
Ajo nënvizoi se, përkundër spekulimeve, presidentja aktuale Vjosa Osmani nuk është duke bërë llogari politike për të siguruar një mandat të dytë, përkundrazi, ajo po përballet me një realitet të vështirë politik.
“Është kontradiktore të thuhet që presidentja po kalkulon për interesa personale. Madje, kjo nuk është fare e saktë kur dihet se nëse një presidente ka një pretendim të rizgjedhet presidente edhe njëherë dhe numrat sot flasin që pa Vetëvendosjen nuk do të ketë president të ri, të zgjedhur, atëherë presidentja fare nuk po kalkulon, sepse po konfrontohet me një parti, nga e cila do t’i duhen votat,” u shpreh Haradinaj.
Ajo shtoi se përplasja apo distancimi i Osmanit me Vetëvendosjen, në këtë kontekst, nuk i shërben asaj politikisht, duke nënkuptuar se veprimet e saj nuk janë të drejtuara nga qëllime përfitimi personal. “Prandaj, unë e shoh presidenten që fare nuk po kalkulon për fatin e saj politik,” tha ajo në Rubikon.