Është koha që Kosovën ta njohin Kina dhe pesë vendet e BE-së!
Kenia e njohu Kosovën pas një takimi të presidentes Vjosa Osmani me presidentin e atij vendi. E njëjta gjë ndodhi me Sudanin. Takimet dhe bisedat e zonjës Osmani me homologët e saj nga vendet mos-njohëse janë të suksesshme. Ndërkohë besohet se ajo po përdor me shumë sukses lidhjet e saj me diplomacinë amerikane, turke, gjermane, britanike etj. Eshtë shumë i lexueshëm fakti se aksioni diplomatik i Vjosa Osmanit është i koordinuar me këto vende. Shfrytëzimi i këtij momenti nuk është vetëm vullnet, por edhe zgjuarsi e besim në misionin e presidentes së Republikës së Kosovës për të çuar në finish njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës.
Njohjet nga Kenia dhe Sudani do të pasohen me njohje të tjera. Kjo duket nga optimizmi që shfaq vetë kreu i shtetit të Kosovës. Ajo është optimiste se tashmë Kosova do të njihet si shtet sovran dhe i pavarur edhe nga Kina dhe Rusia. Unë e besoj këtë rrjedhje të njohjeve për Kosovën. Kam ndjesinë se ngjarjet gjeopolitike të sotme do të detyrojnë edhe dy vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sidomos Kinën, që ta pranojnë shtetin më të ri në Europë – Kosovën. Nëse ndodh kjo, atëherë bien poshtë të gjitha marrëveshjet dhe përpjekjet për dialog me Serbinë. Njohja arrihet në Këshillin e Sigurimit dhe përfundimisht Kosova bëhet subjekt i të drejtës shtetërore ndërkombëtare.
Por çfarë mund të bëjë presidentja, institucionet e tjera, liderët dhe politikanët e tjerë të Kosovës e të Shqipërisë për ta arritur këtë synim madhor? Do të doja që zonja Osmani të nisë një dialog me Pekinin. Ka shumë argumente pse Republika Popullore e Kinës mund të ndryshojë qëndrim dhe ta njohë shtetin e Kosovës. Së pari duhet thënë se shteti kinez ndjek një politike tipike të stabilitetit global dhe është kundër konflikteve kudo që ato ndodhin. Ne nuk e dimë nëse kjo buron nga tradita që prej lashtësisë e kësaj lloj politike të Kinës, apo është model i momentit, me të cilin ajo kërkon shmangjen e luftës. Megjithatë, kjo prirje kineze e favorizon argumentin se Kosova shtet i pavarur prodhon stabilitet, paqe dhe siguri në rajon.
Nga ana tjetër, duhet shfrytëzuar fakti se Kina dëshiron lidhje më të ngushta me Europën, përfshirë dhe Europën Lindore, Qendrore dhe Juglindore. Lëto lidhje nuk zhvillohen pa stabilitet në këtë rajon. Ndërkohë Pekini është i interesuar që të mos ndodhë një konflikt ose edhe luftë midis Rusisë dhe Europës. Sepse një gjë e tillë do të rrezikonte vetë Kinën, lidhjet e saj ttregtare etj. Për këtë shkak asaj i duhet shpjeguar se mos-njohja e Kosovës thjesht i vështirëson lidhjet kino-europiane. Ka edhe shumë faktorë të tjerë që mund të gjenden dhe analizohen në favor të argumentit që duhet adresuar një linjë dialogu Kosovë-Kinë për njohjen të shtetit të Kosovës. Është një pikë e favorshme për ta sendërtuar Kosovën dhe përfshirë atë në hartën politike të shteteve të botës.
Por nuk mjafton që presidentja dhe gjithë aktorët e tjerë të angazhohen vetëm me Republikën Popullore të Kinës. Ka ardhur momenti dhe kjo duhet shfrytëzuar, që diplomacia e Kosovës dhe ajo shqiptare të nisë aksionin e saj diplomatik me shtetet europiane mos-njohëse, përkatësisht Greqinë, Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron. Katër të parat janë edhe anëtare të Aleancës Atlantike. Zhvillimet gjeopolitike janë të favorshme për të argumentuar dhe kërkuar te qeveritë e këtyre vendeve që ta njohin Kosovën si shtet sovran e të pavarur. U duhet thënë atyre se mos-njohja e këtij shteti nga ana e tyre është arsyeja kryesore e faktit që në Ballkan, pra në zemrën e Europës, mbahet një vatër tensioni dhe konflikti jo vetëm potencial.