POLITIKATË FUNDIT

“Është agjent i Serbisë”, akuzat e rënda ndaj Kurtit – kritikohet ashpër Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tash e sa kohë ka qenë një nga kundërshtarët politik që e ka kritikuar dhe akuzuar në vazhdimësi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. E këtë po vazhdon ta bëj edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Së fundi, në një paraqitje mediale, Haradinaj duke folur për krijimin e Qeverisë së re, i pyetur për deklaratën e kryeministrit Kurti se ‘Serbia po tenton t’i shantazhojë disa deputetë të minoriteteve’, Haradinaj tha se edhe kjo është dobësi e tij dhe se i njëjti është agjent i Serbisë.

“Kjo është shenjë e dobësisë së Kurtit dhe të Qeverisë së tij. Realisht Kurti është agjent i Serbisë dhe i Rusisë sepse ka zbatu agjendën ruse dhe serbe edhe kuptohet që ndikimet e mekanizmave të fuqishëm ndërkombëtar janë gjithkund ….ne shohim përpjekje për ndryshime në Serbi, shohim përpjekje për ndryshime në Kosovë… e Kurti zakonisht pra i reflekton pikërisht pasojat e asaj se kush është, ai na ka rrit fuqinë e Serbisë deri në këtë masë në Kosovë, Kurti ka qeveris katër vjet të plota, me mandat të plotë, i pavarur nga asnjë parti tjetër shqiptare, dhe pas katër viteve të plota rezulton se qenka rrit fuqia e Serbisë mbi deputetët jo-serbë, që unë nuk besoj se deputetët jo-serbë janë nën ndikimin e Serbisë. Unë besoj fuqishëm se ata deputetë jo-serbë që nuk e pëlqejnë qeverisjen Kurti, ka ndikim Serbia tek ato, mund të kemi ne shqiptarët” tha Haradinaj.

Akuza se Kurti është “agjent i Serbisë dhe Rusisë”, nuk është gjë e re, pasi një të tillë disa herë e ka bërë kreu i AAK-së drejtuar liderit të LVV-së.

Megjithatë, a po tejkalohen kufijt e kritikave politike me deklarata të tilla?

Gacaferi: Me vjen keq ku ka përfunduar një veteran i luftës!

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli Luan Gacaferi kryetar i degës së Guxo në Gjermani.

Si fillim, tha se i vjen keq se si një veteran i luftës (Haradinaj), ka përfunduar në këtë lloj akuzash.

“Me vjen keq ku ka përfunduar një veteran i luftës! Por ndoshta është lufta ajo qe vërtet i lë njerëzit me pasoja!”.

Krahas kësaj, ai këtë e ndërlidhi me pasojat që lufta lë tek njerëzit, duke mos kursyer Haradinajn, pas këtyre deklaratave.

“Ne kemi pas rastin të shohim edhe shumë filma te Hollivudit me veteranët e luftës së Vietnamit të cilët vuanin edhe pas shumë vitesh nga lufta me pasoja të rënda post traumatike”, deklaroi Gacaferi për “Bota sot”.

Mehmeti: Albin Kurti është shndërruar në makth për Ramushin

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti tha se akuzat e Haradinajt ndaj Kurtit janë plotësisht të pabaza.

Madje, për “Bota sot” tha se këto deklarata vetëm sa po e ‘fundosin’ AAK-në edhe më shumë.

“Albin Kurti është shndërruar në makth për Ramushin, në pamundësi për ta akuzuar për hajni, nga mungesa e akuzave reale bën këso deklratata të pabaza. Faktikisht, deklaratat e tilla po i kthehen në boomerang z.Haradinaj, me rezultatin në zgjedhjet e fundit, ku AAK s’do e kalonte as pragun pa Nismën”.

Po ashtu, analisti parashikoi edhe “shuarjen” e AAK-së si parti, e për këtë e fajëson pikërisht liderin e saj.

Ai tha se Haradinajn e pret një fund i keq politik.

“AAK është drejt shuarjes dhe fajtor kryesor është vet z.Haradinaj, ky njeri që s’ka asnjë kredibilitet dhe besueshmëri tek qytetarët. Heshtja e z.Kurti ndaj z.Haradinaj po e fundos këtë të fundit, njësoj si Rugova kur injoronte kundërshtarët e tij dhe ata e vetfundosnin vetën, kështu po ndodh edhe në këtë rast. Fundi politik për z.Haradinaj është për keqardhje, me këso deklarata fundin politikë e ka të shpejt dhe ta pashmangshëm”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *