TË FUNDIT

ShBA drejt miratimit të një rezolute historike për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë, Osmani falënderon Kongresin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas propozimit të një rezolute në Kongresin amerikan që kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në një postim në rrjetin social X, Osmani shprehu falënderim për ligjvënësit amerikanë dhe shprehu pritjet që kjo rezolutë të miratohet.

“Zërat e të mbijetuarve tanë – si ai i Vasfijes dhe i Shyhretes – thyen heshtjen dhe u dhanë forcë mijëra të tjerëve. Për të gjithë ata, drejtësia nuk është një zgjedhje – ajo është një e drejtë e mohuar prej kohësh”, theksoi Osmani.

Presidentja kujtoi se miratimi i kësaj rezolute do të ishte një hap i rëndësishëm përpara, sidomos në prag të 14 Prillit – Ditës Kombëtare për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

Rezoluta e propozuar nga kongresistët amerikanë vjen si një përpjekje për të nxitur njohjen dhe drejtësinë për mijëra gra dhe burra që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë.

Në postimin e saj, Osmani i quajti këto akte si pjesë të “luftës gjenocidale të Serbisë kundër popullit të Kosovës” dhe shtoi se “drejtësia për të mbijetuarit është vonuar, por e domosdoshme”.

Rezoluta pritet të shqyrtohet në ditët në vijim në Kongresin amerikan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *